Presidenti turk, Erdogan deklaroi se vendi i tij do të përshpejtojë projektet në vazhdim e sipër në fushën e mbrojtjes dhe do të gjejë zgjidhje për kërkesat e këtij sektori. Duke folur në ceremoninë e mbylljes së Panairit të 16-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) në Stamboll, ai tha se prototipat do të testohen për përdorim të brendshëm dhe eksport. Panairi katërditor ekspozoi teknologjitë, sistemet dhe produktet më të fundit në fushën e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore. Duke folur rreth avionit luftarak të përparuar të vendit, ”Kaan”, ai tha se avioni do të bëjë fluturimin e tij të parë në fund të këtij viti. Presidenti turk u shpreh se për vite me radhë, vendi i tij nuk ishte në gjendje të përdorte armët që importonte për të luftuar terrorizmin. “Ne kemi qenë subjekt i embargove të fshehta dhe të dukshme, kemi qenë viktima të kufizimeve të padrejta dhe të paligjshme”, tha ai. ”Ne kemi përjetuar standarde të dyfishta, padrejtësi dhe pabesi. Përballë këtyre ne nuk u dorëzuam, nuk u larguam kurrë nga rruga jonë. Gjatë 21 viteve vendi ynë ka arritur shumë suksese, fitore dhe ka prodhuar produkte mbrojtëse që dikur ishin një arritje e paimagjinueshme”, theksoi Erdogan. ”Ne do të vazhdojmë të ndajmë aftësitë tona me vendet mike. Ne do të qëndrojmë pranë të gjithë miqve tanë teksa plotësojmë nevojat tona”, tha ai. atsh
Turqia do të përshpejtojë projektet në fushën e mbrojtjes
RELATED ARTICLES