Parlamenti turk miratoi sot projektligjin për të kontrolluar miliona qen endacakë në vend, pavarësisht kundërshtimit të grupeve të të drejtave të njeriut, të cilët kanë frikë se ky vendim mund të çojë në vrasjen masive të kafshëve në strehimoret e mbipopulluara. “Parlamenti miratoi sot në mëngjes ligjin e diskutueshëm për rregullimin e popullatës së qenve endacakë”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu. Javët e fundit janë zhvulluar protesta në të gjithë Turqinë kundër ligjit përçarës. Ndryshimet në ligjin ekzistues për të drejtat e kafshëve mandatojnë që bashkitë të mbledhin qentë endacakë dhe t’i vendosin ata në strehimoret e kafshëve për adoptim ose të ndërmarrin masa të tjera, duke përfshirë edhe asgjësimin e tyre. Amendamenti lejon që qentë e klasifikuar nga veterinerët si të sëmurë ose agresivë ose që paraqesin “rrezik për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve” të vihen në gjumë. Aktivistët e të drejtave të kafshëve kanë frikë se shumica e kafshëve do të vriten, duke përmendur atë që ata e quajnë infrastrukturën e papërshtatshme dhe të rregulluar keq të strehimoreve të kafshëve në Turqi. Sipas qeverisë, ka rreth 4 milionë qen rrugësh në Turqi, por vetëm rreth 100,000 vende në strehimoret e kafshëve. Amendamenti përcakton gjithashtu se komunat duhet të sigurojnë akomodime të mjaftueshme deri në fund të vitit 2028. Dështimi për ta bërë këtë – mund të rezultojë me dënime me burg deri në dy vjet