Turizmi në Antarktidë po shkakton dëme serioze mjedisore, paralajmëroi sot një raport – duke bërë thirrje për kufizime dhe reforma për të reduktuar emetimet e karbonit në kontinentin më jugor.

Raporti, i botuar në revistën “Science Advances”, tregoi se rritja e turizmit detar, së bashku me zjarret në hemisferën jugore, shoqërohet me një përqendrim të karbonit të zi në Gadishullin Antarktik.

Akulli me nivele më të larta të karbonit të zi thith më shumë rrezatim nga Dielli dhe shkrihet më shpejt se akulli i pastër – duke përkeqësuar procesin e humbjes së akullit për shkak të ngrohjes globale.

Autori i studimit, Newton Magalhaes në Universitetin Shtetëror te Rio de Zhaneiros, në Brazil tha se turizmi në Antarktidë po bëhej një aktivitet ekologjikisht i paqëndrueshëm.

“Ndikimi i shkaktuar nga numri në rritje i turistëve ka tejkaluar strategjitë e zbutjes – të miratuara nga agjencitë”, paralajmëroi Magalhaes.

Të dhënat e publikuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Operatorëve Turistik të Antarktidës (IAATO), një grup agjencish turistike aktive në kontinent, treguan se numri i vizitave të anijeve turistike është rritur nga më pak se 200 në 2003 në 540 në sezonin veror 2023-2024.

Ndërsa mbrojtësit argumentojnë se turizmi në Antarktidë rrit ndërgjegjësimin dhe ndihmon në ruajtjen e mjedisit të pacenuar të kontinentit, Magalhaes tha se emetimet e tymit nga anijet dhe varkat e motorizuara mund të lidheshin me përqendrime më të larta të karbonit të zi.

Autori i studimit argumentoi se agjencitë duhet të rimendonin strategjitë e tyre dhe të gjenin zgjidhje teknologjike për të reduktuar emetimet e karbonit të zi.

“Ndërsa operatorët duhet të reduktojnë aktivitetet e tyre, duke kufizuar numrin e turistëve,” shtoi Magalhaes.

Përveç kësaj, ngjarjet ekstreme të zjarreve në Amerikën e Jugut dhe Australi besohet gjithashtu se kanë shkaktuar një përqendrim të karbonit të zi.