Prej vitesh turizmi në Korçë ka njohur vetëm rritje. Edhe sezoni veror që lamë pas nuk bëri dallim nga ky trend, madje kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo, pohoi për ATSH-në se pati një rritje të lartë krahasuar me vitin 2024.
Kryebashkiaku Filo tha se prej më shumë se një dekade, bashkia e Korçës e ka vendosur turizmin në prioritetet e saj, si një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik dhe aktualisht nuk kemi të bëjmë më me një turizëm sezonal.
“Kjo është veçantia e Korçës. Ndryshe nga shumë destinacione të tjera shqiptare, Korça nuk ka vetëm sezon veror, ajo ka turizëm gjatë gjithë vitit”, u shpreh Filo.
Kryebashkiaku tha se ka programe dhe projekte të posaçme për promovimin, infrastrukturën, eventet dhe bashkëpunimet kulturore, të cilat e bëjnë Korçën një destinacion të qëndrueshëm e të dëshiruar për vizitorët vendas dhe të huaj.
Korça mbetet destinacioni i preferuar për vizitorët vendas, veçanërisht gjatë fundjavave. Por prej disa vitesh po vërehet një rritje të ndjeshme e vizitorëve nga vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Ndërkohë sipas të dhënave të bashkisë Korçë, çdo vit shtohet ndjeshëm numri i turistëve nga vende të tjera evropiane si Italia, Spanja, Franca, Suedia, Polonia dhe Gjermania.