Kryeministrja britanike Liz Truss, e përshkroi veten si “një luftëtare dhe jo si një dorëheqëse”,pasi u përball me një opozitë armiqësore dhe të tërbuar nga vetë partia e saj Konservatore për planin e saj të dështuar ekonomik. Fytyrat e zymta të ligjvënësve konservatorë në Dhomën e Komunave, bënë të qartë se Truss përballet me një luftë të vështirë për të shpëtuar punën e saj. Truss mori pjesë në seancën e saj të parë të pyetjeve të Kryeministrit, që kur shefi i sapoemëruar i Thesarit Jeremy Hunt, hoqi paketën e uljes së taksave të bërë publike më pak se një muaj më parë. Ajo i kërkoi falje Parlamentit dhe pranoi se kishte bërë gabime gjatë mandatit të saj të shkurtër si kryetare e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, por këmbënguli se duke ndryshuar kursin ajo “kishte marrë përgjegjësinë dhe kishte marrë vendimet e duhura në interes të stabilitetit ekonomik të vendit”. Deputetët e opozitës, ndërsa ajo fliste, thërrisnin “Dorëheqje!”. I pyetur nga kreu i Partisë Laburiste të opozitës, Keir Starmer, “Pse është ende këtu?”; Truss i’u përgjigj: “Unë jam një luftëtare dhe jo një dorëheqëse. Unë kam vepruar në interesin kombëtar për të siguruar që të kemi stabilitet ekonomik.” Një paketë e shkurtimeve të taksave të pafinancuara që qeveria e Truss njoftoi më 23 shtator, shkaktoi trazira në tregjet financiare, duke goditur vlerën e paundit dhe duke rritur koston e huamarrjes së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Banka e Anglisë u detyrua të ndërhynte për të parandaluar përhapjen e krizës në ekonomi dhe vënien në rrezik të fondeve të pensioneve. Nën presionin e fortë politik dhe ekonomik, Truss, javën e kaluar, shkarkoi aleatin e saj Kwasi Kwarteng, si shef i Thesarit, duke e zëvendësuar atë me veteranin e kabinetit Hunt. Të hënën Hunt hoqi pothuajse të gjitha shkurtimet e taksave të Truss, së bashku me politikën e saj kryesore të energjisë dhe premtimin e saj për të mos shkurtuar shpenzimet publike. Ai tha se qeverisë do t’i duhet të kursejë miliarda paund dhe se ka “shumë vendime të vështira” për t’u marrë përpara se të përcaktohet një plan fiskal afatmesëm deri më 31 tetor. Shifrat zyrtare të publikuara të mërkurën treguan se inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar u rrit në 10.1% në shtator, duke u rikthyer në nivelin më të lartë të 40 viteve, pasi kostoja në rritje e ushqimit shtrydhi buxhetet e familjeve. Ndërsa inflacioni është i lartë në mbarë botën, i nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës dhe efekti në furnizimet me energji, sondazhet tregojnë se shumica e britanikëve fajësojnë qeverinë për dhimbjen ekonomike të vendit. Kundërshtarët akuzojnë qeverinë konservatore për mbjelljen e kaosit. Truss i siguroi pensionistët se pensionet do të vazhdonin të rriteshin në përputhje me inflacionin, më pak se 24 orë pasi zëdhënësi i saj tha se qeveria po konsideronte shkurtimin e shpenzimeve publike. Me sondazhet që i japin Partisë Laburiste një epërsi të madhe dhe në rritje, shumë konservatorë tani besojnë se shpresa e tyre e vetme për të shmangur harresën zgjedhore është zëvendësimi i Truss. Por ajo këmbëngul se nuk do të tërhiqet dhe ligjvënësit janë të ndarë rreth asaj se si “ta heqin qafe”. Sekretari i ri i Jashtëm, James Cleverly, u bëri thirrje konservatorëve t’i japin Truss një tjetër shans, duke thënë se “gabimet ndodhin”. “Ajo që duhet të bëni është të dalloni kur kanë ndodhur dhe të keni përulësi për të bërë ndryshime kur shihni se gjërat nuk shkuan siç duhet,” tha ai. Sekretari i shtypit i Truss tha se kryeministrja “nuk do të japë dorëheqjen”. Truss përjashtoi thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë se “ajo që është e rëndësishme është të punojmë së bashku për të kaluar dimërin dhe për të mbrojtur ekonominë.” Sipas rregullave të partisë Konservatore, Truss është e sigurt nga një sfidë lidershipi për një vit, por rregullat mund të ndryshohen nëse e duan shumë ligjvënës. Ka spekulime se disa ligjvënës kanë dorëzuar letra, duke kërkuar një votë mosbesimi. Disa ligjvënës konservatorë besojnë se Truss mund të detyrohet të japë dorëheqjen, nëse partia bie dakord për një pasardhës. Deri më tani, nuk ka asnjë favorit. Rivali i mposhtur i Truss në lidershipin konservator, Rishi Sunak, udhëheqësja e Dhomës së Komuneve Penny Mordaunt, si dhe sekretari popullor i Mbrojtjes, Ben Wallace, kanë të gjithë mbështetës, ashtu si Hunt, të cilin shumë e shohin tashmë si kryeministër “de facto”. Disa madje favorizojnë edhe kthimin e Boris Johnson, i cili u rrëzua në verë, pasi u përfshi në skandale etike.https://lajme.rtsh.al/artikull/kryeministrja-britanike-truss-nuk-jap-doreheqje-jam-luftetare