Rreth 200 anëtarë të forcave speciale afgane, të trajnuar dhe financuar nga Britania e Madhe, përballen me deportim të menjëhershëm në atdheun e tyre të kontrolluar nga talebanët, sipas BBC. Shifrat, të mbledhura nga një rrjet veteranësh afganë, zbulojnë shkallën e asaj që një ish-gjeneral i Mbretërisë së Bashkuar e quan “tradhti” dhe “turp”. Ushtarët ikën në Pakistan, i cili tani thotë se do t’i dëbojë ata. Mbretëria e Bashkuar thotë ndërkohë se ka garantuar sigurinë e mijëra afganëve. Gjenerali Richard Barrons, i cili i shërbeu ushtrisë britanike në Afganistan për më shumë se 12 vjet, i tha BBC Newsnight se dështimi i Mbretërisë së Bashkuar për të zhvendosur këta ushtarë “është një turp, sepse reflekton se ose jemi dyfytyrësh si komb ose jemi të paaftë”. “Asnjëra nuk është e pranueshme”, tha ai. ”Është një tradhti dhe kostoja e kësaj tradhtie do të jetë njerëzit që kanë shërbyer me ne do të vdesin ose do të kalojnë jetën e tyre në burg”, shtoi ai. Në vitin 2021, kryeministri Boris Johnson i kishte thënë Parlamentit se shërbimi i këtyre forcave speciale afgane kishte qenë “tepër i rëndësishëm”, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar do të bënte “çfarëdo që mundej” për të marrë “kalim të sigurt” për ta. Frika për komandot afgane vjen pasi u zbulua se qeveria refuzoi gjithashtu thirrjet nga figura të larta diplomatike dhe ushtarake britanike për t’u ofruar azil udhëheqësve kryesorë civilë afganë, jeta e të cilëve ishte në rrezik. BBC ka marrë një letër private dërguar në mars 2022 në Ministrinë e Jashtme, e cila kërkonte t’i jepej ndihmë urgjente një grupi prej 32 ish-guvernatorësh, prokurorë dhe zyrtarësh që kanë punuar me Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA në provincën Helmand, gjatë operacioneve midis 2006 dhe 2014. Një letër e dërguar nga figura të larta diplomatike dhe ushtarake, lavdëron 32 zyrtarë afganë për “aktivitet të palodhur dhe të guximshëm, duke punuar me ushtrinë dhe civilët e Mbretërisë së Bashkuar në vijën e frontit”. Ashtu si shumica e 200 ushtarëve të forcave speciale, këta 32 zyrtarë kishin aplikuar për të ardhur në Mbretërinë e Bashkuar përmes Programit të Zhvendosjeve dhe Ndihmës në Afganistan (ARAP), i destinuar për ata të punësuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, ose që “punonin në Afganistan së bashku me një departament të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në partneritet ose duke e mbështetur ngushtë atë”. Shumë prej zyrtarëve dhe ushtarëve u refuzuan, ndërsa të tjerë ende presin një vendim pas më shumë se një viti. Një nga zyrtarët, një ish-guvernator i qarkut, i tha BBC-së kërkesa e tij për ndihmë përmes skemës u refuzua dy javë më parë, më shumë se 20 muaj pasi ai aplikoi për herë të parë. Richard, një nga nënshkruesit e letrës private, tha se “ne morëm një angazhim të veçantë ndaj këtyre njerëzve dhe nuk e kemi nderuar atë me një sistem efikas, efektiv apo edhe të dhembshur”.