Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se rebelët Houthi të Jemenit i janë dorëzuar Shteteve të Bashkuara dhe kanë rënë dakord të ndalojnë sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Trump, duke folur në Shtëpinë e Bardhë, tha se ”në këmbim, Shtetet e Bashkuara do të përfundonin fushatën e bombardimeve kundër grupit pro-iranian duke hyrë në fuqi menjëherë”.
“Houthit kanë njoftuar… se nuk duan të luftojnë më. Ata thjesht nuk duan të luftojnë. Dhe ne do ta respektojmë këtë vendim. Dhe do t’i ndalojmë bombardimet. Dhe ata kanë kapitulluar”, tha ai së bashku me kryeministrin kanadez Mark Carney.
“Ata thanë: ju lutem mos na bombardoni më. Ne nuk do të sulmojmë anijet tuaja’’, shtoi Trump.
Militantët Houthi kanë sulmuar anije në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit që nga tetori i vitit 2023, në atë që ata e quajnë hakmarrje për veprimet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.
Kërcënimi i ka shtyrë kompanitë e mëdha të transportit detar të shmangin rrugën më të shkurtër detare midis Azisë dhe Evropës, duke preferuar në vend të kësaj rrugën shumë më të gjatë përreth Kepit të Shpresës së Mirë të Afrikës së Jugut.