Presidenti amerikan, Donald Trump ka përsëritur planin e tij shumë të kritikuar për të zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës duke thënë se ata nuk do të kenë të drejtë të rikthehen në atë territor.
I pyetur nëse palestinezët do të lejohen të kthehen në Rripin e Gazës, Trump tha për Fox News “jo, ata nuk do të lejohen të kthehen, sepse do të kenë strehim shumë më të mirë”.
Ai tha se qëllimi i tij ishte të krijonte “një vend të përhershëm” për palestinezët.
“Ne do të ndërtojmë komunitete të këndshme për 1,9 milionë njerëz”, shtoi ai në intervistën e transmetuar dhe duke theksuar se ”ato duhet të ndërtohen pak larg nga ku janë tani, ku ka gjithë këtë rrezik”.
Në lidhje me Rripin e Gazës, i cili është shkatërruar kryesisht nga operacioni ushtarak i Izraelit kundër grupit islamik palestinez Hamas, Trump tha se “ndërkohë, unë do ta merrja në zotërim atë. Mendojeni si zhvillim të pasurive të paluajtshme për të ardhmen”.
Trump tha se priste të arrinte një marrëveshje me fqinjët e Izraelit, Egjiptin dhe Jordaninë, për zhvendosjen e palestinezëve.
Megjithatë, të dyja vendet e kanë hedhur poshtë me forcë idenë e mirëseardhjes së palestinezëve nga Rripi i Gazës.
Planet e Trump për të pushtuar Gazën kanë tërhequr kritika të ashpra nga aleatët dhe kundërshtarët e Uashingtonit, megjithëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka mirëpritur ato.