Qëllimi, sipas presidentit, është të përmirësohen diagnozat, të përshpejtohen provat klinike dhe të forcohen përpjekjet për parandalim.
“Do ta lidhim inteligjencën artificiale me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, deklaroi Trump gjatë një pritjeje në Zyrën Ovale.
“Do të gjejmë përgjigje për këta fëmijë të vegjël që po luftojnë me kancerin. Disa janë tashmë më mirë dhe të tjerët do të shërohen shumë shpejt”.
Në pritje ishin të pranishëm fëmijë që kanë mbijetuar nga kanceri, prindër dhe mjekë specialistë. Presidenti Trump i përshëndeti ata me fjalë inkurajuese dhe tha se synon ta bëjë teknologjinë “të arritshme për të gjithë”.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk dhanë detaje mbi kompanitë apo platformat që do të marrin pjesë në projekt, duke theksuar se planet janë ende në zhvillim.
Edhe pse kanceri pediatrik është relativisht i rrallë, ai mbetet shkaku kryesor i vdekshmërisë nga sëmundjet tek fëmijët në SHBA.
Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, rreth 9 550 fëmijë pritet të diagnostikohen me kancer në vitin 2025.
Falë përparimeve mjekësore, vdekshmëria ka rënë me më shumë se 50 për qind që nga viti 1975, por numri i rasteve të reja është në rritje të qëndrueshme.
Në nivel global, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 400 000 fëmijë dhe adoleshentë nën 19 vjeç diagnostikohen çdo vit me forma të ndryshme të kancerit.