Presidenti i SHBA-së, Donald Trump synon të mbështesë zgjerimin masiv të energjisë bërthamore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – të cilën ai e ka quajtur një “rilindje bërthamore”, me një sërë dekretesh të reja.
Qëllimi, sipas një zyrtari të lartë të qeverisë amerikane, është të katërfishohet sasia e energjisë elektrike të gjeneruar nga energjia bërthamore brenda 25 viteve të ardhshme.
“Nën udhëheqjen e presidentit Trump, Amerika do të sjellë një rilindje të energjisë bërthamore”, tha në një deklaratë Shtëpia e Bardhë.
“Ne po rivendosim një bazë të fortë industriale bërthamore amerikane, duke rindërtuar një zinxhir të sigurt dhe sovran të furnizimit me karburant bërthamor vendas – dhe duke e udhëhequr botën drejt një të ardhmeje të nxitur nga energjia bërthamore amerikane”, tha drejtori i Zyrës së Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë, Michael Kratsios.
“Këto veprime janë të rëndësishme për pavarësinë energjetike amerikane dhe dominimin e vazhdueshëm në inteligjencën artificiale dhe teknologji të tjera në zhvillim”, tha Kratsios.
Dekretet e nënshkruara nga Trump kanë për qëllim të lehtësojnë ndërtimin e centraleve të reja bërthamore të madhësive të ndryshme, të përshpejtojnë ndjeshëm miratimet e nevojshme, të lehtësojnë dhënien e kredive dhe të mbështesin kërkime të reja në projektimin e reaktorëve.
Për më tepër, prodhimi i karburantit bërthamor të nevojshëm për reaktorët – do të kryhet gjithnjë e më shumë në SHBA, si në aspektin e minierave të uraniumit ashtu edhe të pasurimit. Gjithashtu do të mbështetet ripërpunimi i karburanteve bërthamore.
Departamenti i Energjisë është udhëzuar gjithashtu, ndër të tjera, të mbështesë ndërtimin e 10 reaktorëve të rinj të mëdhenj deri në vitin 2030.
Departamenti duhet të punojë gjithashtu për të përdorur energjinë bërthamore për të vënë në funksion qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale.