Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po përgatitet këtë javë të shfuqizojë një tekst të miratuar nga Barack Obama, i cili shërbente si bazë për luftën kundër emetimeve të gazrave serrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shefi i Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Lee Zeldin, e përshkroi këtë hap si ”veprimin më të madh të çregullimit në historinë e SHBA-së”.
Në korrik, agjencia e tij kishte njoftuar synimin për të shfuqizuar këtë tekst, të njohur si ”Endangerment finding” (”Konstatimi i rrezikut”), një lëvizje që do të ndikonte rëndë në politikat klimatike amerikane, duke pasur parasysh se SHBA-ja është kontribuesja historike kryesore e gazrave që ngroh atmosferën.
EPA ka akuzuar administratën e Obama-s për ”një nga vendimet më të dëmshme në historinë moderne”.
Ky tekst, i miratuar nga EPA në vitin 2009, përcaktonte se gjashtë gazra serrë janë të rrezikshme për shëndetin publik dhe hynë në listën e ndotësve nga agjencia federale.
Vendimi hapi rrugën juridike për shumë rregullore federale që synonin të kufizonin emetimet e këtyre gazrave, duke përfshirë kamionët dhe automjetet që lëshojnë CO2 duke djegur karburant.
Administrata e Trump, e cila mbështet fuqishëm industrinë e naftës dhe qymyrgurit, synon të rrëzojë këtë vendim dhe rregulloret që rrjedhin prej tij, duke minimizuar rolin e aktivitetit njerëzor në ndryshimin e klimës dhe duke argumentuar se gazrat serrë nuk duhet të trajtohen si ndotës në kuptimin tradicional, pasi efektet e tyre në shëndetin njerëzor janë indirekte dhe globale, jo lokale.
Nëse ky shfuqizim konfirmohet, pritet të kontestohet në gjykatë dhe mund të arrijë deri në Gjykatën Supreme.
”Do t’i shohim në gjykatë”, tha së fundmi Manish Bapna, kryetar i organizatës mjedisore NRDC.





