Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi një marrëveshje tregtare me Indonezinë, pakti i fundit – në një përpjekje për të forcuar marrëdhëniet me partnerët tregtarë dhe për të reduktuar deficitin tregtar, edhe pse Bashkimi Evropian po përgatit masa hakmarrëse nëse bisedimet me Uashingtonin dështojnë, sipas “Reuters”.
“Sapo arritem një marrëveshje tregtare me Indonezinë. Unë bisedova drejtpërdrejt me presidentin e vendit, shumë të respektuar”, tha Trump në një postim në “Truth Social”.
Tregtia totale e Indonezisë me SHBA-në – rreth 40 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2024 – nuk renditet në 15 vendet e para, por ka qenë në rritje.
Eksportet amerikane në Indonezi u rritën me 3,7% vitin e kaluar, ndërsa importet u rritën me 4,8% – duke e lënë SHBA-në me një deficit tregtar mallrash prej gati 18 miliardë dollarësh amerikanë.
Trump paralajmëroi më herët, Indonezinë se do të vendoste një tarifë prej 32% – që do të hynte në fuqi më 1 gusht – në një letër dërguar presidentit të vendit javën e kaluar.
Trump u dërgoi letra të ngjashme partnerëve tregtarë, duke përfshirë Kanadanë, Japoninë dhe Brazilin, duke vendosur norma tarifore të përgjithshme që variojnë nga 20% deri në 50%, si dhe një tarifë prej 50% për bakrin.
Që nga lançimi i politikës së tij tarifore, Trump ka arritur vetëm disa marrëveshje pavarësisht se ekipi i tij ka njoftuar se synon të arrijë “90 marrëveshje në 90 ditë”.
Deri më tani, janë arritur marrëveshje kornizë me Britaninë e Madhe dhe Vietnamin, dhe një marrëveshje e përkohshme me Kinën – për të parandaluar tarifat e larta të Trump ndërsa negociatat vazhdojnë midis Uashingtonit dhe Pekinit.