Bashkia e Tropojës ka çelur sezonin turistik për këtë vit duke hapur dyert e mikpritjes për të gjithë turistët vendas dhe të huaj. Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror si dhe përfaqësues nga Kosova. Për kryetarin aktual të Bashkisë, Rexh Byberi, ky aktivitet është një manifestim i bashkëpunimit dhe vullnetit për zhvillimin turistik të Valbonës si një destinacion mahnitës i alpeve. Grupet e ansambleve nga shumë treva shqiptare dhe nga Kosova u bënë bashkë në një festë muzikore dhe kulturore nën qiellin e blertë të Alpeve tona. Tingujt e muzikës dhe haresë së këngëve dhe valleve buçisnin valët e ajrit dhe shpalosnin bukuritë e mjedisit të bukur malor. Panairi i agro-kulturës prodhimeve artizanale dhe gastronomisë ishte një tjetër pjesë e aktivitetit tre ditor duke ofruar mundësinë për të provuar shumë prej produkteve të cilat janë tipike të zonës. Kostume tradicionale kombëtare të punuara nga gra dhe vajza të zonës, punime artistike të gdhendura në dru nga mjeshtrat popullorë ishin pjesë e këtij panairi. Byberi ka shprehur vendosmërinë që të punomë vazhdimisht për zhvillimin e Valbonës, duke siguruar një infrastrukturë turistike cilësore dhe duke inkurajuar iniciativat e biznesit lokal. Kostumet popullore shumë ngjyrëshe nga të gjitha trevave shqiptare zbukuruan rrugët e qytetit të Tropojës për të ndaluar në luginën e Valbonës. Në kuadër të çeljes së sezonit turistik u mbajt edhe koncerti festiv “20- vjet Sofra Dardane” e organizuar nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë në stadiumin e lojërave me dorë në qytetin e Bajram Currit. Tre ditë aktivitete të larmishme e kthyer Tropojën në epiqendër festive duke bashkuar qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Festivalit iu bashkuan ansamble, shoqëri kulturore-artistike, grupe rapsodike nga të gjitha trojet etnike të kombit shqiptar dhe të ftuar special këngëtarë të shquar nga të gjitha trevat etnokulturore shqiptare. Festimet në Tropojë vijuan edhe në zonën e Nikaj-Merturit ku Sofra Dardane organizoi një koncert të jashtëzakonshëm, nën natyrën mahnitëse dhe të bukur të kësaj zone.