Banka e Shqipërisë bën të ditur se, investimet e huaja direkte arritën në 411 milionë euro, në 3-mujorin e tretë 2024, me rritje rreth 4% krahasuar me periudhën prill-qershor 2024.
Sipas statistikave të BSH-së, për nëntëmujorin 2024, vlera e përgjithshme e fluksit të investimeve të huaja direkte llogaritet në 1,1 miliardë euro.
Investime e huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në industrinë nxjerrëse, në energji elektrike, gaz, furnizim me ujë, industri përpunuese.
Në këtë tremujor, Turqia renditet si vendi investitor i parë me rreth 58 milionë euro investime dhe për 9-mujorin vlera e investimeve shënon 204 milionë euro, me rritje 62% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sektorët potencialë ku dominojnë investitorët turq janë: sistemi financiar (banka), industria e rëndë (nxjerrja dhe përpunimi i çelikut), sektori i ndërtimit, por edhe energjetika.