Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 0.6 pikë përqindje në muajin shtator, rritje kjo e ngjashme me zgjerimin mesatar të dy muajve të mëparshëm.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, niveli aktual i TNE-së qëndron rreth 12 pikë përqindje mbi mesataren.

Rritja e TNE-së në këtë muaj u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, të ndërtimit dhe të shërbimeve.

Nga ana tjetër, besimi në sektorin e tregtisë regjistroi rënie të lehtë, ndërsa besimi konsumator mbeti në të njëjtin nivel me atë të muajit të kaluar.

Treguesi i Besimit të Industrisë (TBI) u rrit me 2.5 pikë përqindje në muajin shtator, duke vijuar rritjen për të katërtin muaj radhazi.

Niveli i tij qëndron rreth 14 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e TBI-së u ndikua nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për prodhimin industrial aktual, si dhe pritje më optimiste për porositë nga eksportet.

Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar për lart krahasuar me muajin e kaluar.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u rrit me 1.2 pikë përqindje në shtator. Niveli i tij vijon të qëndrojë mbi mesataren historike, me rreth 27 pikë.

Rritja e TBN-së u drejtua kryesisht nga vlerësimet më optimiste për aktivitetin aktual ndërtues. Pritjet për punësimin u rritën lehtë, ndërsa pritjet për çmimet regjistruan rënie këtë muaj.

Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) u rrit me 3.1 pikë përqindje në shtator. Pavarësisht luhatjeve mujore, niveli i treguesit qëndron mbi mesataren historike me 18 pikë përqindje.

Në rritjen e këtij treguesi kontribuan vlerësimet më optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës. Gjithashtu, pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen janë rishikuar për lart. Bizneset kanë rishikuar lehtësisht për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.

Treguesi i Besimit në Tregti (TBT) u zvogëlua me 2.3 pikë përqindje në muajin shtator, pas rritjes me 6.1 pikë përqindje një muaj më parë.

Në rënien mujore të TBT-së ndikuan kryesisht pritjet në rënie për nivelin e punësimit në të ardhmen. Në rënie, por në një masë më të vogël, ndikoi edhe vlerësimi për ecurinë aktuale të biznesit të tyre.

Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan gjithashtu në rënie.

Ndërsa Treguesi i Besimit Konsumator (TBK) ruajti të njëjtin nivel me muajin e mëparshëm.
Lëvizjet në drejtime të kundërta të balancave përbërëse të TBK-së u kompensuan, duke mos ndryshuar nivelin e treguesit të agreguar.

Pritjet e konsumatorëve për papunësinë në të ardhmen janë rritur.