Sipas BSH-së, rënia e TNE-së u ndikua nga ulja e besimit të bizneseve, ndërkohë që besimi konsumator u përmirësua.
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) nuk pësoi ndryshime krahasuar me muajin e kaluar, duke qëndruar rreth 1,3 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u ul me 3,1 pikë përqindje në muajin nëntor. Në rënien mujore ndikuan të dy komponentët: vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale. Pritjet për çmimet vazhduan të bien këtë muaj.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) u ul me 5,7 pikë përqindje këtë muaj. Pavarësisht kësaj rënieje, niveli i TBSH-së qëndron rreth 9 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e besimit u ndikua nga vlerësimet më pak pozitive të bizneseve për nivelin e kërkesës dhe ecurinë aktuale të biznesit të tyre.
Treguesi i besimit në tregti (TBT) ra me 2,3 pikë përqindje në muajin nëntor. Rënia u ndikua kryesisht nga vlerësimet në ulje për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen shënuan rritje.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) u rrit me 0,8 pikë përqindje në muajin nëntor. Rritja u ndikua kryesisht nga pritjet më optimiste për gjendjen personale financiare, si dhe situatën ekonomike në të ardhmen. Nga ana tjetër, komponentët e blerjeve të mëdha, aktuale dhe të pritura, nuk pësuan ndryshime në krahasim me muajin e kaluar.





