Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit arritën 12,8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 8%, krahasuar me periudhën janar-qershor 2024.
Numri i kontratave të lidhura gjatë gjysmës së parë të vitit arriti 755 806, një rritje prej 8,06% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon një rritje të interesit nga konsumatorët dhe një forcim të besimit në sigurimet e ofruara nga kompanitë e sigurimeve.
Në aspektin e ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, tregu vazhdon të jetë i orientuar kryesisht tek sigurimet e jo-jetës, të cilat kanë kontribuar me 90,98% të vëllimit të përgjithshëm të primeve.
Ndërkohë, sigurimet e jetës kanë zënë vetëm 8,99%, një përqindje që mbetet e ulët.
Në ndarjen sipas llojit të sigurimeve, primet e shkruara bruto të sigurimeve vullnetare zënë 41,29% të totalit, ndërsa sigurimet e detyrueshme zënë 58,71% të tregut.
Ndërkohë, dëmet e paguara bruto gjatë periudhës janar-qershor 2025 shënuan një ulje të lehtë prej 0,73%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në rreth 4 miliardë lekë.
Sigurimi motorik shënoi rritje të konsiderueshme në dëmet e paguara, me një vlerë prej 2640 milionë lekësh, që përbën një rritje prej 6,48% krahasuar me vitin e kaluar.