Banka e Shqipërisë bën të ditur se, gjatë muajit mars të këtij viti flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja për biznesin shënuan vlerën 15.52 miliardë lekë. Sipas BSH-së, tregtia dhe shërbimet është sektori që kryeson me totalin më lartë të huasë prej 5.4 miliardë lekë, të përthithur gjatë muajit mars. Më pas renditet “Shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale” me një total kreditimi prej 2.5 miliardë lekë. Për këtë sektor, analiza e shifrave tregon se, ka regjistruar një rritje rekord krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur përbënte vetëm 1% të totalit të huave të reja, ose rreth 174 milionë lekë në vlerë absolute. Sektori i “ndërtimit” ka kaluar në vendin e tretë për nga pesha dhe përbën 13% të huave të reja ose 2.1 miliardë lekë, duke pësuar një rënie me 48% nga marsi i vitit të kaluar. Peshë të konsiderueshme të kredive të reja zënë “Industria përpunuese” me 12%, ose 1.8 miliardë lekë, nga 9% që fiksohej për të njëjtën periudhë të një vitit më parë. “Transporti dhe magazinimi” zë rreth 5%, ku krahasuar me marsin e vitit 2022 zinte vetëm 1%, duke pësuar një rritje të konsiderueshme në vlerë absolute, me rreth 717 milionë lekë. “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor” janë sektorë që kanë marrë përkatësisht 5% dhe 4% të kredive të reja të financuara gjatë marsit të vitit 2023. Pjesa tjetër e sektorëve mbulon vetëm 8% të kredive, ose rreth 1.2 miliardë lekë. atsh