Vënia në funksionim e sistemit kombëtar të pagesave AIPS Euro, që prej janarit të këtij viti ka rritur transfertat bankare brenda vendit. Ky sistem mundësoi për herë të parë procesimin dhe shlyerjen brenda vendit të transfertave kombëtare në monedhën europiane. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë për periudhën janar-qershor të këtij viti (sistemi nisi punën në 24 janar), në sistemin AIPS Euro janë kryer gjithsej më shumë se 59 mijë veprime, për një vlerë totale prej rreth 1.34 miliardë eurosh. Tendenca është në rritje të vazhdueshme muaj pas muaji. Për qershorin, numri i veprimeve arriti në 14 400, nga rreth 8 700 që kishin qenë në muajin shkurt. Ndërsa vlera e transaksioneve për muajin qershor arriti vlerën e 274 milionë eurove, nga 202 milionë euro në muajin shkurt. Para ngritjes së sistemit AIPS Euro, transfertat kombëtare në euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit. Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë. Me sistemin e ri AIPS Euro, Banka e Shqipërisë ka përcaktuar edhe vlera tavan për komisionet që bankat tregtare mund t’iu ngarkojnë klientëve të tyre.https://ata.gov.al/2022/08/03/sistemi-aips-euro-transfertat-bankare-1-34-miliarde-euro/