Duke filluar nga data 7 tetor 2025, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të përfitojnë ndjeshëm nga ulja e komisioneve për pagesat ndërkombëtare, si rezultat i përfshirjes së 11 bankave tregtare në skemën e pagesave në Zonën Unike të Pagesave në euro (SEPA), bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Ledia Bregu, drejtore e departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, u shpreh se kjo reformë është një hap i madh drejt modernizimit të sistemit të pagesave dhe e afron Shqipërinë me standardet evropiane të shërbimeve financiare.
“Nga 7 tetori, transaksionet në zonën SEPA, ku përfshihen 27 vendet e BE-së, 3 të Zonës Ekonomike Evropiane dhe 11 vende të tjera, do të kushtojnë më lirë se pagesat brenda vendit”, u tha Bregu për ATSH-në.
“Pagesat hyrëse nga SEPA drejt Shqipërisë do të kenë komision maksimal deri në 3 euro, kur kryhen në mënyrë elektronike. Pagesat dalëse nga Shqipëria drejt 41 vendeve të SEPA do të kushtojnë nga 0 deri në 2 euro. Për transaksione me vlerë mbi 100 mijë euro, komisioni nuk do të kalojë 25 euro”, theksoi Bregu.
Sipas saj, këto komisione janë disa herë më të ulëta se ato që aplikoheshin më parë, duke bërë të mundur që pagesat ndërkombëtare në SEPA të jenë më të lira se ato brenda vendit, në shumë raste.
Bregu e cilësoi këtë reformë si “historike për sistemin e pagesave digjitale në Shqipëri”, që do të sjellë përfitime të prekshme për individët dhe bizneset.
Sipas vlerësimeve të BSH-së, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Në një plan më të gjerë, përfitimet e tjera do të shtrihen në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte, etj.