Numri i transaksioneve të realizuara me home banking arriti në 4,3 milionë, në 5-mujorin e parë të këtij viti duke shënuar një rritje me 21% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2024, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas statistikave të BSH-së, paralelisht me numrin rritje ka shënuar edhe shuma e transaksioneve që kapi një vlerë rekord prej 1 miliardë lekësh.

Krahasur me janar-maj 2024, shuma e transaksionve u rrit me 14,7% këtë vit.

Home banking, i quajtur ndryshe si bankingu në shtëpi, përdoret për të kryer transferta parash, paguar taksat, faturat e energjisë elektrike, ujit, të telefonit, gjobat e policisë, pagesat e kartës së kreditit dhe të tjera, pa qenë nevoja e paraqitjes në degët fizike të bankave.

Klientët e bankave mund të kenë qasje në këto shërbime bankare kudo që ndodhen për sa kohë që kanë internetin.

Rritja e transaksioneve që kryhen përmes aplikacioneve ose faqeve online të bankave është një tregues i digjitalizimit të shërbimeve bankare, ndërsa rrit edhe më tepër përfshirjen financiare të qytetarëve, si dhe transparencën e veprimeve bankare.