Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vizituan “Traffic Town”, këndin edukativ për fëmijët mbi sigurinë rrugore, i hapur tashmë edhe në Gjirokastër. Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale fotogaleri nga ky kënd edukativ. Zv/kryeministrja Balluku deklaroi se ky “Traffic Town” është një nga programet më të reja që ARRSH dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ngritur së bashku me ambasadën polake për sa i përket sigurisë rrugore. ”Për të rritur qytetarë të mirë në drejtim të automjeteve duhet të investojmë te fëmijët. Përmes argëtimit këtu fëmijët edhe mësojnë”, deklaroi Balluku. Ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se Gjirokastra edhe për shkak të relievit, i ka me pakicë hapësirat për zbavitjen e fëmijëve. “Tanimë këtu fëmijët edhe do të edukohen dhe do të zbaviten”, shtoi ajo. Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi shpjegoi se kjo do të jetë një qendër që do të menaxhohet nga bashkia Gjirokastër dhe ARRSH. “Do të ketë ditë të hapura, ku instruktorë të ARRSH-së të vijnë të mësojnë fëmijët, ndërsa do të jetë i hapur për nxënësit e shkollave për të zhvilluar lëndët që lidhen me sigurinë rrugore dhe do të instruktohen nga instruktorë të ARRSH dhe Policisë së Shtetit”, tha Berberi. Këndi do t’u shërbejë jo vetëm fëmijëve të Gjirokastrës, por edhe të bashkive Përmet, Tepelenë dhe Delvinë, pra të gjithë qarkut. atsh
“Traffic Town”, këndi edukativ për fëmijët edhe në Gjirokastër
RELATED ARTICLES