Ndër subjektet e shumta, të prezantuara në panairin Klik Ekspo Group, ishte edhe Fondacioni “Joscelyn”, i cili operon në 25 bashki të vendit. Me qendër në qytetin e Elbasanit, “Joscelyn” ndihmon shtresat në nevojë, duke punësuar, duke ofruar trajnime si dhe shërbim ligjor falas. “Joscelyn” trajnon zonjat në një punishte tezgjahu dhe punët e tyre u prezantuan edhe në stendën e panairit. Kjo sipërmarrje sociale ka dhuruar edhe tezgjah e makina qepëse për shkolla të aftësimit profesional, duke bërë të mundur kështu edhe ruajtjen e traditës dhe dijebërjes. E veçanta e këtij fondacioni është se operon në një mjedis të dhënë nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK). Saimir Bakalli, drejtor ekzekutiv i fondacionit, rrëfen për ATSH-në se sfida më e madhe e artizanatit është mungesa e tregut si dhe konkurrenca që vjen nga mallrat industriale të importit. Fondacioni “Joscelyn” ka trajnuar 25 gra, në tezgjah, 5 prej të cilave i ka punësuar pranë tij.