Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci zbuloi pak nga tradita e mrekullueshme shumëvjeçare e Shkodrës, përmes një postimi në rrjetet sociale, mbi karnavalet e Shkodrës. Beci kujton se, karnevalet në Shkodër janë quajtur “surretën” ose më saktë ashtu quhen ato që vishen për karnavale. “Në vitin 1860 erdhën në Shkodër dy këpucarë: njani hungarez, Shtjefën Ingris, tjetri Dalmatin, Jovan Drakutinoviqi. Të dy mjeshtrat i tregojshin punëtorëve rreth kremtimeve të karnevaleve që zhvilloheshin në përjashta, sidomos në Venedik”, shkruan kryebashkiaku Beci duke përcjellë një gojëdhënë të vjetër nga Gjush Sheldia (arsimtar e studiues i folklorit të Shkodrës).
Tradita tregon se “surretënit” shëtisnin, i binin dyerve të shtëpive, këndonin, kërcenin duke kërkuar shpërblim petullat karakteristike, por edhe fruta të thata. Nismëtarët e festimit realizoheshin nga disa grupime, që zotëronin aftësi për “aheng e dyzen” me daulle e surle, një kortezh me instrumentistë të ndryshëm, valle dhe ekspozim i veshjeve të ndryshme dhe me maska.