Gjigandi japonez i automjeteve, “Toyota Motor”, ka mohuar sugjerimin e presidentit Donald Trump se kompania ishte gati të investonte më shumë se 10 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të ardhshme.
Gjatë një vizite në Japoni në fillim të kësaj javë, presidenti amerikan pretendoi se i ishte thënë se “Toyota” do të hapte fabrika “kudo” në SHBA “në vlerë mbi 10 miliardë dollarë”. “Shkoni dhe blini një Toyota”, shtoi ai.
Por një ekzekutiv i lartë i Toyotës, prodhuesi më i madh i automjeteve në botë, tha se një premtim i tillë konkret për këtë nivel investimi nuk ishte bërë, megjithëse kompania planifikon të investojë dhe të krijojë vende të reja pune në SHBA.
Kompania zhvilloi bisedime me zyrtarë japonezë dhe amerikanë para vizitës së Trump.
“Gjatë administratës së parë të Trump, besoj se shifra ishte afërsisht rreth 10 miliardë dollarë, kështu që edhe pse nuk thamë të njëjtën masë, ne shpjeguam se do të vazhdojmë të investojmë dhe të ofrojmë punësim si më parë,” tha Hiroyuki Ueda për gazetarët, në krah të “Japan Mobility Show “në Tokio. “Prandaj, ndoshta nga ky kontekst, doli shifra prej rreth 10 miliardë dollarësh”.
“’Toyota’ nuk tha në mënyrë specifike se do të investonte 10 miliardë dollarë gjatë disa viteve të ardhshme”, shtoi Ueda, duke theksuar se tema e investimeve nuk u përmend kur Akio Toyoda, kryetari i kompanisë, bisedoi me Trump gjatë një eventi në ambasadën amerikane të martën.
Trump u takua dje me kryeministren e re të Japonisë dhe gruaja e parë që mban këtë post, Sanae Takaichi. Ai mirëpriti angazhimin e Takaichit për të përshpejtuar rritjen ushtarake, ndërsa nënshkruan marrëveshje për tregtinë dhe minerale të rralla.
Gjatë vizitës, Takaichi premtoi realizimin e një “epoke të artë” në marrëdhëniet me SHBA dhe “forcimin themelor” të mbrojtjes së vendit të saj. Të dy liderët nënshkruan një marrëveshje që krijon një kornizë për sigurimin e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve të rralla dhe mineraleve të tjera.





