Në të gjitha qendrat shëndetësore në vend ka një interes të shtuar nga grupet e riskut për kryerjen e vaksinës kundër gripit të stinës, por ka rënie të kërkesave për t’ u vaksinuar ndaj COVID-19.
Shefja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini tha sot për ATSH-në se “ende vijon rekomandimi që vaksina kundër gripit dhe ajo kundër COVID-19 të aplikohen njëkohësisht”.
“Nga data 16 tetor e në vijim në qendrat shëndetësore do të jenë vaksinat antiCOVID për grupet e interesuara për ta aplikuar. Janë rreth 5800 doza për nënvariantet e reja të Omicon, si pjesë e planit përgatitor për grupet në riskut”, tha Tomini.
Sipas saj, interesi i popullatës shqiptare në përgjithësi, por edhe i grupeve të riskut ka rënë përkundrejt vaksinës kundër kovidit.
“Por masat në shëndetin publik mbështetur në udhëzues dhe protokoll të miratuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lindin detyrimin për të pasur vaksinat e COVID-19 në vend dhe për çdo individ që shfaq interesin për ta aplikuar”, theksoi Tomini.
Tomini u shpreh se “sigurisht aplikimi i vaksinës kundër gripit dhe COVID-19 sjell një minimizim të fortësisë apo e zbeh klinikën e gripit dhe COVID, minimizon format e rënda dhe humbjet e jetës që në drejtim të shëndetit publik, qoftë edhe një humbje është tepër për t’u vlerësuar”.
Ajo vlerëson se “është e rëndësishme që çdo anëtar i këtyre grupeve të riskut duhet të kërkojë mbështetje nga strukturat shëndetësore për të aplikuar vaksinën e gripit dhe COVID, për të qenë sa më të mbrojtur gjatë sezonit të vjeshtës dhe dimrit, si dhe të dëgjohen strukturat shëndetësore dhe të zbatohen rekomandimet e tyre”.
“Gjithashtu e rëndësishme është që pa filluar rastet e para të konfirmuara në vend të krijojmë një imunitet sa i përket influencës apo gripit sezonal duke aplikuar vaksinën sa më herët”, tha Tomini.
Rekomandimet e strukturave ndërkombëtare dhe ato kombëtare janë për aplikimin e vaksinës në çdo kohë gjatë sezonit vjeshtë- dimër dhe për vaksinën e COVID-19 gjatë gjithë vitit.
Tomini këshillon që grupet e riskut t’i minimizojnë sa më shumë grumbullimet në ambientet e mbyllura, të mbajnë ambientet të freskuara të kontrollojnë veten për shenjat klinike dhe mos t’i neglizhojnë.
“Të dëgjojnë rekomandimet e strukturave shëndetësore, të vaksinohen në kohë për të pasur një shëndet më të mirë gjatë sezonit vjeshtë-dimër dhe për të përjetuar shenja klinike të influencës sezonale dhe COCVID-19 sa më të lehtë”, tha Tomini.
Tomini vuri në dukje se “vaksinimi kundër gripit ka pasur interes dhe është një proces i konsoliduar tashmë dhe duhet të vlerësohet fakti i interesit të grupmoshave mbi 60 vjeç, të sëmurëve kronikë me sëmundje të diabetit, kardiake, hipertensive, personat obezë, ata me sëmundje pulmonare, apo me alergji stinore, pra të gjithë grupet e riskut të rekomanduara”.
Por, tha ajo, ndërkohë janë edhe personat e shëndoshë që janë në grupe risku siç janë Policia e Shtetit, mësuesit, personeli shëndetësor që ka kontakte të vazhdueshme me pacientët për minimizimin sa më të madh të infeksionit spitalor, që të mos kalojë infeksioni nga personeli tek pacienti dhe e kundërta.
“Nuk mund të lëmë pa përmendur gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël”, tha Tomini.
Në qendrat shëndetësore nisi më 7 tetor vaksinimi falas kundër gripit si mjeti më efikas dhe mbrojtja më e mirë kundër virozave respiratore që shkaktohen nga virusi i gripit. Këtë vit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 20 mijë doza më shumë se një vit më parë dhe do të vijojë të kryhet për grupet e riskut sipas një kalendari të përcaktuar nga strukturat e shëndetësisë.
Në kuadër të Programit Kombëtar të Vaksinimit janë siguruar 280,000 doza vaksina të shpërndara tashmë në të gjithë vendin.