Ky program, iniciativë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, është shtrirë në disa shkolla në mbarë vendin, ku nxënësit jo vetëm zhvillojnë aftësi praktike dhe marrin njohuri mbi bujqësinë, por edhe ndërgjegjësohen për rëndësinë e mjedisit dhe ushqyerjes së shëndetshme.
Drejtoresha e shkollës “Vaçe Zela” në Tiranë, Enkeleda Gorezi tha sot për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se “ky program ka nisur të zbatohet në shkollën tonë gjatë vitit shkollor 2023-2024 dhe po vazhdon të zbatohet edhe këtë vit. Nëpërmjet këtij programi synojmë që nxënësit të edukohen mbi rëndësinë e tokës dhe bujqësisë, të zhvillojnë aftësi praktike, të njohin nga afër tokën dhe të nxisin kujdesin për natyrën”.
“Programi “Toka në shkollë” përfshin nxënësit e klasave I-IX, të cilët e kanë pritur me shumë entuziazëm dhe presin me padurim të kalojnë kohë në miniparcelën e krijuar në shkollën tonë”, tha Gorezi.
Ky program është pritur mjaft mirë edhe nga prindërit e nxënësve, duke e konsideruar si një mundësi që fëmijët e tyre të mësojnë dhe të angazhohen në aktivitete praktike.
“Prindërit janë treguar shumë bashkëpunues dhe kanë ndihmuar në mbështetjen e aktiviteteve dhe krijimin e kushteve për suksesin e programit duke sjellë farëra dhe fidanë të ndryshëm për t’i mbjellë në miniparcelat e shkollës, si dhe mjete të ndryshme që shërbejnë për kujdesin ndaj bimëve dhe luleve”, tha Goreci.
Në miniparcelat e shkollës nxënësit kultivojnë perime, si domate, kastravec, spec, sallatë, rukola, spinaq, qepë, kungull, patëllxhan dhe bimë aromatike të ndryshme.
“Këto miniparcela janë shumë të vlefshme për nxënësit, pasi aty organizohen edhe orët e praktikës në lënën e Biologjisë, duke u ofruar atyre një përvojë konkrete mbi rritjen dhe kujdesin ndaj bimëve”, tha Goreci.
Grejs Lesaj, nxënëse në klasën VI, tha se “më pëlqen shumë të mbjell lule e perime dhe tani e kuptoj se sa shumë punë kërkon për të rritur një lule dhe një bimë”.
“Me anë të këtij projekti kemi mundësi të mësojmë si të mbjellim bimë dhe të kujdesemi për to. Është argëtuese të mësojmë gjëra të reja përditë”, u shpreh Priam Elezaj, nxënës në klasën III A.
Ndërsa Kamila Bami, nxënëse në klasën VIII B theksoi se “ky projekt na mëson se sa e rëndësishme është toka për jetën tonë. Kemi mësuar të punojmë në grup dhe të kujdesemi për mjedisin”.
“Toka në Shkollë” është një program i ri i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, që synon lidhjen e nxënësve me tokën, kultivimin e prodhimin bujqësor, përmes mikrofermave e miniserave në mjediset e shkollave. Gjithashtu me anë të këtij programi synohet të zhvillohen aftësitë praktike për kultivimin, me synim lidhjen e fëmijëve dhe të rinjve me natyrën dhe traditat, si një mjet për edukimin mjedisor dhe jo vetëm.