Së shpejti Korit të Zërave të Bardhë pranë TKOB do t’i shtohen edhe fëmijë instrumentistë. Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka hapur sërish thirrjen për fëmijët e talentuar, që duan t’i bashkohen Korit të Zërave të Bardhë. Të gjithë prindërit e interesuar mund të çojnë fëmijët e tyre pranë Hollit Koncertor në Teatrin e Operas, më 18 shkurt, ora 11.00. Kjo mundësi, thuhet në njoftimin e TKOB, vjen plotësisht falas. Mjafton që fëmijët të luajnë një instrument muzikor, si dhe të paraqesin një material sipas dëshirës së tyre. Gjithashtu, ata do të kalojnë përmes një testimi ritmik, melodik dhe atij të kujtesës. Duhet që paraprakisht prindërit të dërgojnë të dhënat e fëmijëve në email-in [email protected], duke përfshirë: emër, mbiemër, moshën, shkollën, instrumentin me të cilin do të prezantohen si dhe kontaktin. Për herë të parë, TKOB në kuadër të edukimit për brezat e rinj, hapi shtatorin e shkuar audicion për të gjithë fëmijët nga mosha 6-11 vjeç, për të qenë pjesëtarë të korit të zërave të bardhë. Kori i zërave të bardhë do të jetë pjesë e produksioneve të TKOB në sezonin e ri artistik gjatë vitit 2023 e në vazhdim. Fëmijët do të trajnohen profesionalisht nga artistët e TKOB pa asnjë kosto. atsh