Projekti i referohet tre rrugëve kryesore të bllokut, Rrugës “Ismail Qemali”, rrugës “Pjetër Bogdani” dhe rrugës “Brigada 8”. Ai gjithashtu është i aplikuar në kryqëzimet e këtyre rrugëve dhe rrugës “Sami Frashëri”, si dhe përfshin disa rifinitura të rrugës “Vaso Pasha”.

Më konkretisht, rrugët “Brigada VIII” dhe “Pjeter Bogdani” do të çlirohen nga rreshti i parkimit, i cili do t’i shtohet hapësirës së trotuarit, duke krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të rehatshëm për këmbësorët. Zgjerimi i trotuareve do të lehtësojë qarkullimin, do të përmirësojë aksesin për të gjithë dhe do të krijojë mundësi për më shumë hapësira publike.

Ndërsa Rruga “Ismail Qemali”, duke qenë një rrugë kryesore, do të ketë një korsi biçikletash dhe vetëm një rresht parkimi. Për shkak të rëndësisë së saj është parashikuar parkim vetëm nga njëra anë, duke ruajtur një balancë mes aksesit të mjeteve dhe përparësisë për këmbësorët dhe çiklistët.

Po ashtu, përpara institucioneve arsimore do të realizohen sheshe të sigurta, të cilat do të mundësojnë akses më të lehtë dhe më të sigurt për fëmijët, duke reduktuar rreziqet nga trafiku dhe duke krijuar një ambient më të përshtatshëm për prindërit dhe nxënësit.