Sipas TI, vlerësimi me pikë i një shteti tregon nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik nga zero (që do të thotë se një vend është jashtëzakonisht i korruptuar) deri në 100 (një vend i pastër nga korrupsioni), ndërkaq renditja e një shteti në indeks tregon pozicionin e tij relativ krahasuar me vendet e tjera.

Kosova mori vlerësimin më të mirë më 2024 (44 pikë), duke zënë vendin e 73-të në botë. Kjo pasi shënoi një përparim të lehtë në luftimin e korrupsionit krahasuar me vitin 2023, kur ishte vlerësuar me 41 pikë.

Kosova përfshihet në këtë Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që nga viti 2012. Që atëherë, vlerësimin më të keq vendi e kishte pasur më 2013, 2014 dhe 2015, kur për tri vjet rresht ishte vlerësuar me 33 pikë.

Për vitin 2025, nga vendet e rajonit, Mali i Zi është vlerësuar më së miri me 46 pikë.

Në pjesën për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, organizata tha se indeksi tregon se institucionet e dobëta dhe ngecjet në demokraci po e nxisin korrupsionin dhe po ngushtojnë hapësirën për shoqërinë civile.

Sipas indeksit të këtij viti, në krye të tij është Danimarka, Finlanda dhe Singapori, sikurse ishin edhe vitin e kaluar. Ndërkaq në fund të listës, të renditura më së keqi janë Venezuela, Somalia dhe Sudani.

Transparency International thotë se të dhënat që përdoren për përpilimin e indeksit mbulojnë këto forma të korrupsionit në sektorin publik: ryshfeti, keqpërdorimi i fondeve publike, përdorimi i funksioneve publike nga zyrtarët për përfitime personale pa u përballur me pasoja, aftësia e qeverive për të frenuar korrupsionin në sektorin publik, burokracia e tepruar që mund të rrisë mundësitë për korrupsion në sektorin publik, emërimet politike në shërbimin civile, ligje që u mundësojnë zyrtarëve publikë të mos e deklarojnë pasurinë apo konfliktet e mundshme të interesit, mbrojtja ligjore për personat që raportojnë rastet e ryshfetit dhe korrupsionit, kapja e shtetit dhe qasja në informacione mbi çështje publike dhe aktivitete të Qeverisë.

Ndërkaq, ky indeks nuk mbulon perceptimin e qytetarëve për korrupsionin apo përvojën e tyre me këtë dukuri, mashtrimet me tatime, rrjedhjet e paligjshme të financimeve, personat që mund të ndihmojnë në kryerjen e veprave korruptive, pastrimin e parave, korrupsionin në sektorin privat dhe ekonomitë dhe tregjet joformale