Në këtë qendër do të ngrihet edhe një kabinet i ri i dedikuar për trajtimin e traumave sportive

“Thumana ka përfituar shumë hapësira të reja sportive nga ana e qeverisë shqiptare, për të nxitur një jetë të shëndetshme. Bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, kemi menduar të krijojmë këtu një qendër ekselence për trajtimin e traumave sportive. Me krijimin e kabinetit të fizioterapisë, ne do të ofrojmë shërbime të specializuara për rehabilitimin e personave që kanë nevojë. Ky kabinet do të pajiset me staf të kualifikuar, dhe do të jetë një model i ri, i cili do të pilotohet fillimisht në Thumanë, me synim shtrirjen edhe në qytete të tjera”, tha ministrja.

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Koçiu vuri theksin te rëndësia e jetesës së shëndetshme për fëmijët, me fokus tek depistimi i skoliozës tek fëmijët e moshës 6-10 vjeç.

Sipas saj programi i depistimit të skoliozës në shkolla është një element kyç për shëndetin e fëmijëve tanë. “Po përgatisim një program kombëtar për diagnostikimin e hershëm të skoliozës, i cili do të nisë me fillimin e vitit të ri shkollor. Ky program është një vlerë e shtuar për fëmijët tanë, duke i ndihmuar ata të ndërtojnë një jetë të shëndetshme”, tha ajo.

Ministrja përmbylli fjalën e saj duke nënvizuar angazhimin e palëkundur të qeverisë për të krijuar kushte sa më të mira shëndetësore dhe edukative për brezin e ri. “Investimi në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë është investimi më i vyer për të ardhmen e vendit. Me iniciativa të tilla ne po hedhim themelet për një shoqëri më të shëndetshme dhe më të fortë”, theksoi Koçiu.