Në kantierin e segmentit rrugor Thumanë-Kashar, ndër më të rëndësishmit e Korridorit Blu, po punohet me ritme të shpejta për të siguruar përfundimin e këtij aksi më 30 qershor, përmes të cilit lehtësohet ndjeshëm qarkullimi i automjeteve. Thumanë – Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe aktualisht punimet janë përqendruar në 3 kilometrat e fundit të kësaj vepre, pasi mbi 18 km janë asfaltuar. Korridori Blu ka disa segmente. Ky është segmenti i parë që qeveria do të dorëzojë, ndërsa është në fazë negocimi për sa i përket dy segmenteve të tjera Kashar-Lekaj dhe më pas Lekaj-Fier. Ndërkohë po punohet për të hapur garën për Milot-Balldren. Edhe loti nga Thumana deri në Milot është në fazë negocimi. Thumanë – Kashar përmban disa vepra arti, 11 ura 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe ndërtimin e dy nyjeve të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksin rrugor Tiranë-Durrës.