Administrata Doganore i rikujton të gjithë personave që hyjnë ose largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë se janë të detyruar të deklarojnë çdo shumë në të holla që arrin ose tejkalon 10,000 euro, ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera, si dhe çdo lloj instrumenti të negociueshëm, metale apo gurë të çmuar, sende me vlerë apo objekte antike.
Deklarimi duhet të bëhet pranë zyrave doganore në pikat e kalimit kufitar, para kontrollit të pasaportës, pavarësisht mënyrës së udhëtimit, nëse është me avion, anije, makinë, motorr, biçikletë apo këmbë. Po ashtu, nuk ka rëndësi nëse vlerat mbahen në çantën e dorës, bagazhe apo në mjetin e udhëtimit, madje edhe nëse nuk janë në pronësi të vetë udhëtarit.
Ky proces realizohet përmes plotësimit të formularit online për raportimin e transportit të vlerave në kufi (RTVK), duke paraqitur gjithashtu dokumente që justifikojnë burimin e të ardhurave të deklaruara.
Administrata Doganore njofton se deklarimi i rremë, i pasaktë apo mosdeklarimi i vlerave monetare sjell vendosjen e gjobave sipas shkallëve të përcaktuara nga ligji.
Për shumat nga 10,000 deri në 19,999 euro, gjoba fillestare është 20,000 lekë, ndërsa për shumën prej 20,000 deri në 49,999 euro, gjoba fillestare arrin në 40,000 lekë.
Për vlerat mbi 50,000 euro, gjoba fillestare është 60,000 lekë. Për herë të dytë dhe për rastet e tjera, gjobat përcaktohen në përqindje të vlerës së padeklaruar.
“Për shumat nga 10 000 – 19 999 euro ose kundërvlerën e tyre në monedha të tjera të huaja, gjoba është në shumën 20 000 (njëzet mijë) lekë për herën e parë, 10% të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 30% të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera. Për shumat nga 20 000 – 49 999 euro ose kundërvlerën e tyre në monedha të tjera të huaja, gjoba është në shumën 40 000(dyzet mijë) lekë për herën e parë, 20% të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 40% të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera. Për shumat mbi 50 000 euro ose kundërvlera e tyre në monedha të tjera të huaja, gjoba është në shumën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë për herën e parë, 30% të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 50% të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera”, informoi DPD.
Përveç gjobave, rastet e mosdeklarimit trajtohen edhe sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Administrata thekson se për plotësimin e formularit RTVK nuk paguhet asnjë taksë dhe apelon për respektimin e këtij detyrimi ligjor, duke shmangur kështu problemet ligjore dhe financiare.