Përmes kësaj thirrjeje do të mbështeten financiarisht projektpropozime nga Institucionet Publike të Arsimit të Lartë Publik që kanë për objekt të veprimtarisë së tyre kërkimin shkencor.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “Ministria e Arsimit përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit mbështet me një financim prej 7 milionë eurosh thirrjet për projektet e kërkimit shkencor dhe zhvillimit; projektet e teknologjisë dhe inovacionit dhe projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor”.
“Me këtë thirrje u jepet mundësi të gjitha universiteteve, njësive të kërkimit shkencor dhe kërkuesve shkencorë të zhvillojnë programet e tyre në nivelet më të larta të cilësisë së kërkimit, frymës së inovacionit dhe për të prodhuar impakt real në aktivitetin ekonomik, social e teknologjik të vendit”, tha Rama.
Këto programe kanë si qëllim fuqizimin e IAL-ve dhe institucioneve kërkimore, mbështetjen e kërkimit shkencor dhe inovacionit me laboratorë dhe mjete, për t’iu përgjigjur prioriteteve kombëtare të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik kulturor të vendit si dhe tendencave të zhvillimeve ndërkombëtare të shkencës dhe kërkimit.
Gjithashtu programet synojnë përmirësimin e infrastrukturës kërkimore ekzistuese; krijimin e kushteve për kërkuesit shkencor për të realizuar veprimtari kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare; rritjen e kapaciteteve të IAL-ve për të ofruar shërbime për të tretët (biznesin, industrinë, institucionet, komunitetin) si dhe të krijojë një infrastrukturë kërkimore që i përgjigjet nivelit të projekteve evropiane të programeve.





