Skema Kombëtare synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, të rrisë prodhimin vendas dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në treg.

Nga kjo skemë mund të përfitojnë fermerët individual, grupimet e fermerëve, të cilët si vitin e shkuar, do të përfitojnë të parë pagesën dhe do të përfitojnë 100% të vlerës së aplikuar, personat fizikë e juridikë dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

Skema përfshin 8 masa mbështetëse; pagesa për gjedh të matrikulluar; pagesa për tufën bazë të matrikulluar (dele dhe/ose dhi); mbarështim i bletarisë; pagesa për prodhimin dhe kultivimin ne ambiente te mbrojtura për perime, rrush tavoline dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike. Përfitojnë pagesë shtesë fermerët që përdorin kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve; pagesa për kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike; fermat organike; implementimi dhe certifikimi Global GAP; mbështetje për naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi.

Të gjitha kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim gjenden në faqen zyrtare të AZHBR.

Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, financon për gjedhët deri në 10.000 lekë për lopë ose mëshqerra, 5.000 lekë për viçat, në ferma jo më pak se 10 krerë. Për bagëtitë e imta vijon po e njëjta masë financimi 1200 lekë/krerë; për bletarinë 1000 lekë/koshere; për perimet/luleshtrydhen/rrush tavoline në serra, masa e financimit është 200 000 lekë/ha (jo më pak se 1 ha)”.

Këtë vit është rritur një masë financimi për kontrollin biologjik të dëmtuesve, ku 50% e vlerës totale të faturës tatimore do të rimbursohet sërish nga Skema Kombëtare e Mbështetjes.

Bimët aromatike dhe mjekësore vijojnë të jenë në fokus të Skemës Kombëtare me 30.000 lekë/ha (jo më pak se 1 ha), si kriter pranimi.

Fermat organike 100.000 lekë/vit dhe 200.000 lekë për çdo fermë të certifikuar.

Certifikimi GLOBAL GAP mbështetet me 50% të vlerës totale të faturës tatimore.

Ndërsa nga skema e naftës përfitojnë më shumë se 50 000 fermerë.

Buxheti i parashikuar arrin në 4.4 miliardë lekë. Sa i përket përfituesve autoritetet shprehen se do të jenë mbi 60 mijë fermerë, që do të përfitojnë nga skemat mbështetëse.

Gjatë këtij viti janë tri skema që do të aplikohen në mbështetje të bujqësisë. Skema kombëtare, skema e investimeve e nisur një vit më parë dhe që shumë shpejt pritet shpallja e fituesve dhe garancia sovrane.