“Thirre vendin tënd”, nisma për toponimet shqiptare ndalon në Korçë

0
6

Në Korçë u organizua një tryezë e rrumbullakët diskutimesh mbi toponiminë shqiptare e quajtur “Thirre vendin tënd” ku profesorë të gjuhësisë dhe të letërsisë kumtuan gjetjet e tyre nga ekspeditat në terren.

Aktiviteti u organizua nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë dhe Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Studiuesja dhe nismëtarja e këtij projekti Ledi Shamku është shprehur se mbledhja e emrave të vendeve shihet si një rezultat fundor i një jete, pasi banorët ashtu siç e kanë jetuar vendin, ashtu edhe e kanë emërtuar.

“Është një projekt i cili synon të mbledhë të gjitha emrat e vendeve, jo thjesht emra të thata se ashtu kemi 250 mijë skeda. Është një punë e mrekullueshme që është bërë dikur, por ta bëjmë rrugëtimin tonë mbrapsht nga jeta tek emri i vendit pasi është jeta dhe përvoja e banorëve ajo që i ka dhënë emra vendeve”, ka theksuar studiuesja Shamku.

Pedagogë, studentë dhe mësues nga qarku i Korçës u ftuan të kontribuojnë në këtë nismë me rëndësi të veçantë për identitetin kombëtar.