Në këtë aktivitet bashkia Libohovë prezantoi gjithë potencialin turistik të saj, në katër stinët e vitit.
Aktivitete dhe eksperienca ku mund të përfshihen vizitorët, sitet arkeologjike, monumentet e natyrës, historinë, objektet e kultit, trashëgiminë kulturore, gastronominë, mikpritjen libohovite me bujtinat e fermat të çelura rishtazi.
Në prezantim nuk mungoi as lugina e bukur e Zagorisë, që shtrihet mes malesh, me 10 fshatrat piktoreskë të saj, të vendosur në zemrën e natyrës së egër, me shtëpitë e gurta, urat mesjetare, manastiret e kishat me një bukuri të pashoqe.
Një vend të veçantë pati në prezantim edhe Parku Natyror i Zagories i pasur në florë dhe në faunë, e si për të plotësuar gjithë ngjyrat e kësaj tabloje natyrore të pikturuar nga dora e Zotit.
Nuk mund të mungonte edhe ujëvara e Doshnicës, lumi që gjarpëron luginën për t’ju bashkuar ansamblit gurgullues të Vjosës.
Në përfundim të takimit Dhoma e Tregtisë Gjirokastër dhe Shoqata e Hotelerisë të Janinës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi.
Qarku i Gjirokastrës është një nga zonat më të pasura turistike të Shqipërisë, si në atraksione, në kulturë, histori, kulinari, natyrë dhe mikpritje.