Tema e takimit ishte “Arkitekt Gani Strazimiri: Themelues i Institutit të Trashëgimisë Kulturore” dhe morën pjesë shumë prej atyre që janë prekur nga vepra dhe trashëgimia e profesor Gani Strazimirit. Fjala e hapjes u mbajt nga drejtorja e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Klesta Qirici. E pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Mbi jetën e profesor Strazimirit dhe veprën e tij, folën Skënder Strazimiri, Suzana Varvarica, Artan Shkreli, ish-kryeministri Aleksandër Meksi e prof. Pirro Thomo. Në kuadër të 55-vjetorit të krijimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, të themeluar prej tij, si dhe me rastin e 105-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës i ka dhënë Gani Strazimirit, titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Prof.Strazimirit i njihet merita e madhe për ruajtjen e shumë prej objekteve të kultit të cilat pas viteve `65 filluan të shkatërroheshin nga regjimi komunist. Shkatërrimin e tyre ai e quante një “akt vandal” dhe “vepër kriminale” siç edhe ishin në të vërtetë. Prof.Strazimiri ka luajtur veçanërisht rol të rëndësishëm në përcaktimin e zonave historike të arkitekturës popullore, të shpalljes së Gjirokastrës e Beratit qytete-muze, si dhe të komplekseve muzeale të pazareve të Krujës e Korçës. atsh