E përditshmja britanike “The Times” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, duke ofruar një rrëfim të bukur e të sinqertë mbi mikpritjen shqiptare dhe ofertën tonë turistike.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale shkrimin e “The Times” i cili zbulon shtigjet natyrore, plazhet e Himarës, Qeparoit e Borshit, si dhe Parkun Kombëtar të Llogorasë.
“E dija se në bregdetin e Shqipërisë kishte shumë më tepër se veçse diell dhe rërë, duke përfshirë natyrën e paprekur dhe trashëgimitë historike magjepsëse të 50 viteve pas perdes së hekurt”….
Kryeministri u shpreh se “kështu nis rrugëtimi i gazetares Marianna Hunt nëpër Shqipëri për gazetën britanike ‘The Times’ në zbulim të shtigjeve natyrore, plazheve të Himarës, Qeparoit e Borshit, në gjurmët e Çezarit brenda Parkut Kombëtar të Llogorasë e përmes vargjeve që Lord Bajroni i dedikoi vendit të shqiponjave për t’i ofruar publikut një rrëfim të bukur e të sinqertë mbi mikpritjen shqiptare dhe ofertën tonë turistike”.
Në artikullin e botuar në të përditshmen britanike “The Times”, Hunt vlerëson vijën bregdetare plot me surpriza dhe shtigjet me pamje përrallore që ndodhen pikërisht në zemër të vendit.
“Bregdeti i Jonit në Shqipëri ka tërhequr një numër në rritje udhëtarësh ndërkombëtarë vitet e fundit – falë fshatrave të përsosura si Ksamili, i cili ka plazhe të bardha të pacenuara, të konsideruara në Instagram si “Maldivet e Evropës”. Megjithatë, e dija se në bregdetin e Shqipërisë kishte shumë më tepër se vetëm diell dhe rërë, duke përfshirë natyrën e pacënuar dhe trashëgiminë historike magjepsëse”, vijon artikulli.
Ndërkohë Hunt shkruan se “në restorante, ju mund të paguani rreth gjysmën e asaj që do të paguanit në Korfuz, i cili ndodhet vetëm 30 minuta larg me traget nga Shqipëria”.
“Mendova të provoja të bëja një foto, por më pas ndryshova mendim. Tingujt, erërat, shija e qumështit të ngrohtë të dhisë… kjo ishte një anë e Shqipërisë që asnjë postim në Instagram nuk mund ta pasqyronte”, shkruan Hunt për “The Times”.