Me parqe kombëtare madhështore dhe një mënyrë tradicionale jetese, vendi ballkanik ofron një përvojë të paharrueshme për vizitorët e huaj, shkruan Teresa Machan në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Guardian”. Në kodrat mbi fshatin Tragjas në Vlorë, në jugperëndim të Shqipërisë, po vrapoja pas një fermeri të quajtur Sofo, me një gotë raki në njërën dorë dhe një petull trekëndore në tjetrën. Muzgu po largohej dhe drita e ditës kishte filluar të dilte, ne ishim vonë dhe dhitë duhej të mjeleshin. Sofo dhe bashkeshortja e tij Dhurata po na prisnin për darkë në “restorantin” në fshat. Ne ecëm deri në fermë nga rruga përmes barit me nyje, grykës dhe sherebelës së shfrenuar. Dhurata më ofron një petull të mbushur me djathë dhie të bërë në shtëpi (një pjatë tradicionale me brumë të skuqur) dhe unë nxitova pas Sofos. Përpara se të uleshim për të shijuar pjatat me perime, mish dhe qofte të pjekura në skarë, duhej bërë mjelja. “Kjo është ajo që ndodh në Shqipëri.Vendasit duan t’ju japin gjëra gjatë gjithë kohës”, tha udhërrëfyesi ynë, Elton Caushi. Është e vërtetë. Kudo që shkuam, dyert hapeshin dhe pasonin biseda dhe pije freskuese. Duke udhëtuar përreth takova alpinistë, udhëtarë në kampe, një grup studentësh nga Universiteti i Bristolit që eksploronin me makinë dhe një çift britanik pensionist që po ecnin me biçikletë.
Të gjithë kishin veçse lëvdata për mikpritjen shqiptare. Unë erdha në Shqipëri me operatorin turistik “Intrepid”, për të përjetuar një udhëtim nëntë-ditor, të drejtuar në partneritet me “Meet” (Përvoja Mesdhetare e EkoTurizmit). Vitet e fundit Shqipëria ka filluar të joshë adhuruesit e diellit në vendpushimet bregdetare duke përfshirë Sarandën, Himarën dhe Vlorën. Destinacioni ballkanik është një vend me bukuri natyrore mbresëlënëse dhe rëndësi ekologjike, siç zbuloi vizita jonë. Itinerari i plotë përfshinte vizita në ujërat e kaltërta të liqenit të Komanit dhe lumit të qetë të Shalës, në veri të vendit, ideal për zhytje sublime. Gjithashtu, një shëtitje jo të detyrueshme në Mollë në ultësirën e Alpeve Shqiptare, në kryeqytetin Tiranë dhe në plazhin turistik të Vlorës. Udhëtimi ynë përfshiu një ndalesë në kompleksin e Kalasë së Beratit – në majë të kodrës – i cili i ka rrënjët që në antikitet; është po aq e bukur sa çdo ndërtesë tjetër që kam parë – që datojnë në shekullin e XIII. Qendra historike dhe dy kodikë të Beratit të zbuluar në kriptën e Muzeut të njohur Onufri mbrohen nga Unesco. Kisha më e vjetër e qytetit, Trinia e Shenjtë, ka pamje panoramike mbi luginën e lumit Drin dhe masivin e Shpiragut me brazda. Ndërsa Liqeni i Shkodrës, i cili ndahet me Malin e Zi, është një nga rezervatet më të mëdha të shpendëve në Evropë. Ne, gjithashtu vizituam një rezervat më pak të njohur por po aq të rëndësishëm në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta, dy orë me makinë në jug të Tiranës. I pasur me biodiversitet, parku ka identifikuar rreth 25 lloje gjitarësh, 29 lloje zvarranikësh (përfshirë breshkat e detit), 29 amfibësh dhe 230 lloje shpendësh. Qendra e saj e rehabilitimit të shpendëve, e vetmja në Shqipëri, ka trajtuar pelikanë, shqiponja, kukuvajka, zuzar dhe lejlek. Ekosistemi i lagunës së Karavastasë, brenda parkut, është shtëpia e pelikanit dalmat nën kërcënim – një nga zogjtë më të mëdhenj të ujërave të ëmbla në botë – dhe një strehë për speciet shtegtare.