Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi bashkohen në Bjeshkët e Nemuna, duke ofruar ditë të mrekullueshme skijimi, shkruan Katy Dartford në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Guardian”.

Është e vështirë të dish saktësisht se në cilin vend ndodhesh kur je lart në Bjeshkët e Nemuna.

Të njohura si Alpet Shqiptare, ky varg malor i thyer shtrihet nga Shqipëria veriore në Kosovën perëndimore dhe në verilindje të Malit të Zi.

Ne ishim në një udhëtim turistik për ski për të eksploruar zonën, e cila tërheq 200 deri në 300 vizitorë gjatë sezonit dimëror.

Vendosëm të eksploronim zonën për borën e pa gjurmuar dhe mundësinë për të eksploruar tre vende brenda një dite, të rrethuar nga një shkretëtirë e bardhë vezulluese me vetëm disa fshatra të veçuara.

Kërkohen aftësi të mira skijimi jashtë dhe një nivel i mirë fitnesi për ngjitjet, por Alpet premtojnë një aventurë larg shpateve të destinacioneve të zakonshme evropiane të skive, të tejmbushura me turistë.

Gjatë një jave, kemi bërë 4-8 milje në ditë ngjitje dhe u akomoduam në bujtina.

Ne vazhduam drejt majës (Maja e Bardhë) 2392 metra, të nxitur nga bora e pastër që na priste në shpatin e saj jugperëndimor në Kosovë.

Ne u ngjitëm përgjatë Qafës së Pejës (2275 metra), që përshkon dy vendet, duke ruajtur një ritëm metronomik me skitë tona turistike.

Ndërsa arritëm majën, majat përreth ofronin një shfaqje magjepsëse, duke zbuluar një pamje të një vargmali dhe të një maje me dëborë, përpara se të kalonim edhe një herë pas një perdeje të trashë reje.

Ne u shpëtuam mjegullave të vazhdueshme të Shqipërisë dhe zbritem në peizazhin e mbuluar nga dielli të Kosovës.

Kishim kohë edhe për një xhiro tjetër në këtë peizazh të pacënuar dimëror – përpara se të skijonim nëpër luginën kosovare të Zalli i Rupës me bredha – dhe të përfundonim turneun tonë të skive rreth Bjeshkëve të Nemuna.

Udhëtimi ynë nisi një javë më parë në Pejë, në fund të skajit lindor të vargmalit malor. Pasi arritëm në qytetin e Kosovës në mbrëmje, na ranë në sy majat mbresëlënëse gëlqerore të larta – të cilat dominuan peizazhin e pyllëzuar mëngjesin tjetër.

Përveç ndërtesave që datonin nga e kaluara e tij romake, bizantine dhe otomane, si banjot termo-minerale aty pranë, të krijuara që nga lashtësia, qyteti kishte gjithashtu një fabrikë birre të njohur (Birra Peja).

Virtyt Gacaferri i cili na njohu me zonën – bëri shaka se kishte jetuar në gjashtë vende pa u zhvendosur fizikisht, një referencë për të kaluarën e trazuar të rajonit, veçanërisht shpërbërjen e Jugosllavisë dhe konfliktin e Kosovës në vitet 1990.

I frymëzuar nga suksesi i një shtegu ecjeje prej 119 miljesh (192 kilometra) (Majat e Ballkanit i iniciuar në 2013) për të promovuar paqen dhe për të ofruar punësim në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë, Virtyti donte të shihte nëse malet mund të tërhiqnin vizitorë edhe gjatë muajve të dimrit.

Kështu që, ai punoi për hapjen e tre bujtinave për sezonin dimëror dhe u krijua Balkans Natural Adventure – një nga kompanitë më të mira që ofron turne të vetëdrejtuara në Majat e Ballkanit.

Ne i kaluam netët në këto bujtina gjatë turneut tonë. Të nesërmen në mëngjes u nisëm nga Hotel – Kulla e Zenel Beut në drejtim të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Me pajisjet për skijim dhe bagazhet tona të lidhura në majë të furgonit, ne kaluam në shtigje të pjerrëta pyjore dhe përrenj shkëmborë, duke u ngjitur drejt majave me borë që shfaqeshin në horizont.

Më në fund arritëm në bujtinën Gacaferi, në një luginë me borë në provincën e Deçanit në Kosovën perëndimore.

Ndërsa ne ngjiteshim në Qafën e Ali Pejës, zbuluam një panoramë të maleve të thepisura dhe luginave të pacënuara.

Pas një ngjitjeje dy-orëshe arritëm në dy maja të rrumbullakosura 2300 metra, të cilat, si shumë të tjera në rajon, nuk ishin emërtuar ende.

Këto maja ofronin pamje të luginës së Dobërdolit dhe Valbonës në kufirin shqiptar, ndërsa Gjeravica e Kosovës, maja e dytë më e lartë e Bjeshkëve te Nemuna rreth 2656 metra, ngrihej pas nesh.

Gjatë kthimit tonë në bujtinë pas skijimit për 30 minuta nëpër borën e butë, Safete Gacaferi na priste me filxhanë kafe turke pranë një zjarri të ndezur.

Pas një dite të gjatë, ne pushuam rreth sobës, duke parë punën e vështirë që po bëhej në kuzhinë.

Safetja përgatiti piten duke rrotulluar copa brumi në rrathë të hollë dhe duke i përhapur ato me një përzierje qumështi kremoze të njohur si halta, përpara se t’i mbështillte në formë spiraleje dhe t’i piqte.

Ne i hëgrëm ato me qofte shtëpie dhe speca, përpara se të shkonim në dhomat tona të përbashkëta me shtretër të rehatshëm.

Të nesërmen në mëngjes u nisëm për ski në një peizazh të pastër njëngjyrësh, me synimin për të vizituar tre vende në pak sekonda.

Duke arritur Majën e Trekufirit (2,366 metra), ku takohen të tre kufijtë, ne thirrëm emrat e secilit vend – Shqipëri, Mali i Zi dhe Kosovë – ndërsa ndodheshim ne majën e malit.

Më pas zbritëm drejt një fshati të zbrazët, Bogiçevicës, ku na mirëpriti një oficer gazmor i patrullës kufitare, kureshtjen e të cilit e zgjoi risia e vizitorëve të sezonit dimëror.

Një ish-kamion i ushtrisë, i pajisur me një rimorkio për pajisjet tona, na çoi në një udhëtim në Babino Polje në Mal të Zi.

Në bujtinën “Eko Katun Hrid” na pritën fëmijët e Enes “Enko” Dreskovic, të cilët na ofruan lëng boronice të bërë në shtëpi dhe pantofla të ngrohta.

Bujtina ishte aq larg sa nuk kishte sinjal telefoni, por kishte dushe të nxehta në apartamentet e sapondërtuara, të cilat kishin krevate dyshe dhe teke. Ne shkuam për të fjetur nën zhurmën e lumit poshtë.

Ndërtesa kryesore ishte një shtëpi tradicionale familjare me një dhomë ndenjeje dhe kuzhinë të madhe dhe të ngrohtë.

Enko është një figurë madhështore dhe gjithashtu drejtori i Parkut Kombëtar Prokletije të Malit të Zi.

Gjatë një darke ku na shërbyen bërxolla qengji, peshk të skuqur, pulë dhe patate, ai ndau historinë e përfshirjes së tij në krijimin e parqeve kombëtare në të tre vendet, rreth 20 vite më parë.

Vizioni i tij ishte të bashkonte parqet dhe të thyente kufijtë.

“Njerëzit këtu janë të njëjtë, pavarësisht nga kombësia. Fqinji juaj mund të jetë më i afërt se vëllai juaj”, tha ai.

Gjatë dy ditëve në vijim, ne vizituam fshatrat e thella si Dobërdoli në Shqipëri, duke qëndruar në bujtinën “Leonardi”, një nga vendet më të veçuara deri më tani.

Prej këtu skijuam deri në majën e Shpatit (2203 metra), duke ndjekur kreshtën befasuese që të çonte në majën e quajtur “Kershi i Kocit” – para se të ktheheshim në ngrohtësinë e bujtinës, ku na servirën një shishe raki.

Udhëtimi u mundësua nga Balkans Natural Adventure; pushimet shtatë ditore kushtuan rreth 1500 euro, duke përfshirë guidat lokale, transfertat dhe disa vakte.