Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALESHENDETESI“Tetori Rozë”, FSHF zhvillon aktivitet sensibilizues

“Tetori Rozë”, FSHF zhvillon aktivitet sensibilizues

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një aktivitet informues dhe sensibilizues në kuadër të fushatës “Tetori Rozë” që synon të rrisë ndërgjegjësimin për kapjen e hershme të kancerit të gjirit në bashkëpunim edhe me Institutin e Shëndetit Publik. Të pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” ishin vajza dhe gra të administratës së FSHF, anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, mjekja e specializuar pranë Institutit të Shëndetit Publik, Lejla Bitri si dhe përfaqësuese të medias dhe televizionit. Ky nuk ishte rasti i parë i këtë muaji, që Federata Shqiptare e Futbollit, i bashkohet apelit mbarëkombëtar, për diagnostikim e kontroll të përvitshëm në luftën kundër kancerit të gjirit tek gratë. Përpara ndeshjes miqësore Shqipëri-Bullgari, nën organizimin e FSHF-së fëmijët realizuan fjongon rozë në fushën e blertë nën mesazhin “FIGHT LIKE AN EAGLE”. Aktiviteti e hapi anëtarja e Komitetit ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, e cila deklaroi se Federata Shqiptare e Futbollit është gjithmonë e gatshme për t’u bashkuar kauzave që ndihmojnë në përmirësimin e jetës. “I garantoj të gjithë që te Federata Shqiptare e Futbollit, do të gjeni gjithmonë një derë të hapur, një zë më shumë, një motiv më të fortë për t’u bashkuar këtyre kauzave dhe evenimenteve, për të përmirësuar sadopak cilësinë e jetës tonë, në Shqipërinë tonë të përbashkët”, – Anila Basha. Mjekja e specializuar e ISHP-së Lejla Bitri, mbajti një leksion informues për sëmundjen e kancerit të gjirit dhe shpjegoi masat parandaluese, ku theksoi se angazhimi në aktivitet fizik dhe ushqimi i shëndetshëm janë faktorët favorizues për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje. Bitri vlerësoi edhe mbështetjen e FSHF-së që u bë pjesë e kësaj fushate ndërgjegjësuese. “Nga kanceri i gjirit mund të preken mosha shumë të reja, mund të preken edhe burra, kështu që nuk përjashton askënd në asnjë aspekt. Prandaj të gjithë duhet të kemi kujdes dhe duhet të marrim masa paraprakisht me shenjën më të vogël që mund të kemi, qoftë ajo edhe një shenjë banale. Është mirë t’i drejtohemi menjëherë mjekut specialist për të bërë minimalisht një ekografi. Aktiviteti fizik, jeta e shëndetshme, mbajta mirë e peshës trupore, kanë favor në uljen e riskut për kancerin e gjirit. Sporti, ushqimi i shëndetshëm dhe gjithçka janë shumë favorizues për të mos u prekur”, – Lejla Bitri. E pranishme në aktiviteti ishte edhe influencerja Ina Kollçaku, e cila ndau me të pranishmit eksperiencën personale që kaluar me këtë sëmundje dhe u bëri thirrje vajzave dhe grave që të sensibilizohen dhe të kryejnë rregullisht kontrolle mjekësore. Gjithashtu, Kollçaku ka falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit që u bë pjesë e fushatës “Tetori Rozë”. “Ne nuk jemi askush që të paragjykojmë asnjë arsye, apo nga ana tjetër të rrimë të qajmë, të vuajmë apo të them pse na kapi edhe ne. E rëndësishme është që kjo gjëja të kapet në kohë dhe të vazhdojmë të bëjmë kontrollet tona në kohë. Prandaj gjithë ky ndërgjegjësim i rri shumë për shtat Federatës Shqiptare të Futbollit. Një falënderim shumë i veçantë shkon për Federatën, që në këtë pozicion super të favorshëm, zgjodhi që të bëjë një aktivitet kaq të rëndësishëm”, – tha Ina Kollçaku.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments