Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi testimin operacional për sistemin e votimit dhe numërimit elektronik, i cili do të implementohet në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023, në Bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Zgjedhësit e këtyre bashkive do të votojnë nëpërmjet Pajisjes Elektronike të Votimit dhe Numërimit (PEVN).
Në zbatim të nenit 22 pika 6 të Kodit Zgjedhor, KQZ përdori 3% të pajisjeve PEVN për të simuluar procesin e hapjes, mbylljes dhe transmetimit të votimit. Testimi operacional evidenton përputhshmërinë e kritereve të përcaktuara nga KQZ në raport me atë çfarë ofrojnë pajisjet.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi garantoi zgjedhësit e bashkive Elbasan, Vorë, dhe Kamëz se ditën e Dielë, ekziston e gjithë garancia dhe siguria e votës së tyre.
“Pajisjet garantojnë 100 % fshehtësinë e votës së zgjedhesve. Nuk ka asnjë lloj mundësie, as kompania që ka prodhuar pajisjet, as KQZ dhe askush nuk mund të identifikojë dhe zbulojë votën e qytetarëve. Pajisjet ofrojnë garancitë e plota të fshehtësisë së votës. Sa i përket zgjedhësve të cilët kanë vështirësi, në çdo qendër votimi do të ketë një operator teknik i përzgjedhur nga KQZ, që do të asistojë nga pikëpamja teknike procesin e votimit pa patur mundësinë të marrë informacion apo të identifikojë votën e zgjedhësit. KQZ synon që të shpallë rezultatin 30 minuta pas mbylljes së procesit të votimit”.
Pajisja Elektronike e Votimit dhe Numërimit, e cila do të përdoret në 401 qendrat e votimit të tre bashkive, lejon votimin në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt për qytetarët. Vota elektronike shoqërohet me votën e printuar, e cila konfirmohet paraprakisht nga zgjedhësi.
Software i pajisjes ofron standarde të larta sigurie dhe ndërfaqja e votimit është e ngjashme me fletën e printuar të votimit. Në këtë mënyrë votuesi do ta ketë të lehtë ndërveprimin me pajisjen.