Shkencëtarët kanë krijuar një test të ri gjaku për të parashikuar se kur një person ka gjasa të shfaqë simptoma të sëmundjes së Alzheimerit, një progres që mund të ndihmojë në përshpejtimin e trajtimeve parandaluese.

Rreth 55 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me demencë dhe Alzheimeri përbën 60–70 për qind të rasteve.

Numri i personave të prekur parashikohet të dyfishohet çdo 20 vjet dhe të arrijë në afro 140 milionë deri në vitin 2050.

Në mungesë të një kure, modelet parashikuese mund të ndihmojnë në zhvillimin e terapive për të parandaluar ose ngadalësuar shfaqjen e simptomave të Alzheimerit tek personat në rrezik.

Një model i ri i bazuar në një test gjaku mund të parashikojë fillimin e simptomave të Alzheimerit brenda një periudhe prej tre deri në katër vitesh, sipas një studim të ri.

“Puna jonë tregon realizueshmërinë e përdorimit të testeve të gjakut, të cilat janë dukshëm më të lira dhe më të aksesueshme sesa skanimet e imazherisë së trurit apo analizat e lëngut spinal, për të parashikuar fillimin e simptomave të Alzheimerit”, tha Suzanne Schindler, autore e studimit të publikuar në “Nature Magazine”.

“Qëllimi është të jemi në gjendje t’u tregojmë pacientëve individualë se kur ka gjasa të zhvillojnë simptoma, gjë që do t’i ndihmojë ata dhe mjekët e tyre të hartojnë një plan për të parandaluar ose ngadalësuar simptomat”, shtoi Dr. Schindler nga “Washington University School of Medicine” në Saint Louis.

Modeli vlerëson nivelet e një proteine të quajtur p-tau217 në plazmën e individit, pjesa e lëngshme e gjakut, për të përllogaritur moshën në të cilën ka gjasa të fillojnë simptomat e sëmundjes së Alzheimerit.

Studiuesit përdorën modelin e tyre të ri për të parashikuar moshën e fillimit të simptomave.

Ai tregoi se individët më të moshuar kishin një periudhë më të shkurtër nga momenti kur u shfaqën nivele të rritura të p-tau217 deri në fillimin e simptomave, krahasuar me pjesëmarrësit më të rinj.

Për shembull, nëse një person kishte nivele të larta të p-tau217 në plazmë në moshën 60-vjeçare, ai zhvillonte simptoma 20 vjet më vonë.

“Këto modele “orë biologjike” mund t’i bëjnë provat klinike më efikase duke identifikuar individë që ka gjasa të zhvillojnë simptoma brenda një periudhe të caktuar kohore”, theksoi Dr. Petersen.