Grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura ka mbërritur në Turqi, për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale. “Sapo mbërriti në Stamboll edhe grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura pjesë e skuadrës së kërkim – shpëtimit”, theksoi Rama, duke publikuar edhe foto nga mbërritja në Turqi e këtij grupi. Qeveria shqiptare iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë, pas tërmetit shkatërrimtar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë që shkaktoi viktima të shumta, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme. Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete mbërritën dje në Turqi, ku kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, për të lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie. ATSH