Ju mund të shijoni pamjet e mrekullueshme të Shqipërisë dhe të kaloni pushimet tuaja me çmime të përballueshme, sipas një artikulli të botuar në revistën italiane “Tendenze di Viaggio”. Shqipëria ndodhet në Evropën Jugore dhe Gadishullin Ballkanik. Vitet e fundit, vendi ballkanik është kthyer në një destinacion turistik ku mund të kaloni pushimet tuaja mes relaksit dhe argëtimit. Deri pak kohë më parë Shqipëria nuk përfshihej në listën e destinacioneve për të udhëtuar.
Megjithatë, pamjet befasuese që u ofron vizitorëve, ushqimi i mirë dhe jeta e natës kanë mundësuar që ky vend të përjetojë një rizhvillim të madh. Shqipëria është destinacioni perfekt – i zgjedhur nga shumë italianë. Ushqimi është shumë i ngjashëm me atë italian – dhe qytetet duke përfshirë kryeqytetin Tiranën, ofrojnë një panoramë të madhe artistike që tërheq vëmendjen e miliona turistëve. Shqipëria mund të jete destinacioni ideal për pushime verore pasi ofron plazhe të mrekullueshme që të lënë pa frymë me bukurinë e tyre. Ka shumë limane të vegjël me rërë të vendosur në shkëmbinj dhe të rrethuar nga panorama befasuese e natyrës së pacënuar.
Shqipëria është kthyer në destinacionin e ri të preferuar jo vetëm për italianët, por për shumë popullata të tjera që dynden për të vizituar peizazhet mahnitëse. Ka shumë vende për t’u vizituar, por nëse është hera e parë në Shqipëri këshillohet ta nisni nga Tirana. Kryeqyteti është plot me muze, monumente dhe pamje antike që e bëjnë atë të veçantë. “Xhamia e Et’hem Beut” është një nga bukuritë që nuk duhet humbur për asnjë arsye dhe konsiderohet më e mira në vend. Për adhuruesit e jetës së natës, nuk mund të shmanget zona e Bllokut, e cila sot është kthyer në një qendër për të rinjtë – që duan të argëtohen.