Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme vijon dërgimin e teksteve mësimore për mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, sipas kërkesave të ardhura nga përfaqësitë shqiptare jashtë vendit.
Përmes një njoftimi për shtyp, kjo qendër njofton se 700 tekste “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, Niveli I dhe II, falas për vitin shkollor 2024-2025 u nisën sot në tri shtete për nxënësit dhe mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë.
“520 tekste “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, Niveli I dhe II, falas për vitin shkollor 2024-2025 u nisën për në Bern të Zvicrës. 120 tekste “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, Niveli I dhe II, falas për vitin shkollor 2024-2025 u nisën për në Kopenhagen të Danimarkës. 60 tekste “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, Niveli I dhe II, falas për vitin shkollor 2024-2025 u nisën për në Tel Aviv të Izraelit”, thuhet në njoftim.
Për herë të parë, mësuesit dhe nxënësit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë do të kenë edhe Nivelin II të tekstit didaktik “Gjuha shqipe dhe kultura shqipe”.
Teksti “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli I dhe II fizik dhe digjital, është hartuar në përputhje me Kurrikulën e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë, miratuar nga MAS, Shqipëri, dhe MASHTI, Kosovë.
Përveç teksteve të dërguara, QBD-ja ofron online edhe tekste të tjera plotësuese për mësimin e gjuhës shqipe, të cilat janë të shfletueshme dhe të shkarkueshme falas online në faqen zyrtare të saj: www.qbd.gov.al.