Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka hapur një program të ri studimi atë të “Teknologjisë Kuantike“, duke u bërë kështu universiteti i parë në vend por edhe në Ballkanin Perëndimor që çel këtë degë. Ky program studimi është risi dhe i përket fushës së teknologjisë së informacionit dhe kompjutërave kuantikë, por në një shkallë më të avancuar.
Rektori i universitetit “Aleksandër Moisiu” Shkëlqim Fortuzi thotë se 15 studentët që janë bërë pjesë e këtij programi do të jenë pjesë e një sektori në zhvillim, i cili bëhet gjithnjë e më i prekshëm në ekonominë globale.
“Ky program është bashkëkohor, është teknologji mjaft e përparuar e cila do të zbatohet në fusha mjekësore, kibernetike apo teknologji të tjera të përparuara. Në këtë master vlen të theksohet cilësia e programeve të cialt janë hartuar në bashkëpunim me universitete europiane dhe amerikane. Gjithashtu pjesë e mësimdhënies janë përveç profesorëve shqiptarë, janë edhe nga Italia, SHBA dhe Kanada e të tjerë”, tha Fortuzi.
Pjesa më e madhe e stafit akademik, që angazhohet programin “Teknologji kuantike” janë ekspertë të fushës, që vijnë nga jashtë vendit, leksionet janë në gjuhën angleze dhe italiane.
Universiteti i Durresit ka gjetur një mbështetje të madhe nga universitete dhe bota e biznesit në SHBA. Qëllim kryesor i këtij programi është të përgatisë specialistë të aftë për t’iu qasur botës së teknologjive kuantike me njohuritë dhe kompetencat që kërkon tregu i punës.