Në teatrin “Migjeni” rikthehet hapësira e orkestrës simfonike, një element thelbësor që i jep skenës frymëmarrje, thellësi dhe dimension të ri artistik.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci tha se “rikthimi i saj ndodh në jubileun e 10-vjetorit të festivalit “Luleborë”, duke i dhënë këtij edicioni një madhështi të veçantë dhe duke rikthyer në teatrin Migjeni emocionin e vërtetë të artit dhe muzikës së qytetit”.

Drejtuesi artistik i festivalit, Zef Çoba, u shpreh se kjo hapësirë e veçantë i jep skenës një energji të re, duke e bërë përjetimin artistik më të plotë dhe më profesional.

“Kjo hapësirë i jep një dimension tjetër skenës dhe krijon një lidhje më të fortë mes muzikës dhe interpretimit”, tha Çoba.

Në këtë edicion të “Luleborës” do të konkurrojnë 16 këngë, të cilat ruajnë identitetin e këngës shkodrane, por njëkohësisht synojnë përshtatjen me tregun muzikor bashkëkohor  një sfidë që, siç theksoi Çoba, mbetet e veçantë për artistët dhe krijuesit pjesëmarrës.