Akti sublim i Dëshmorëve të Policisë, të rënë në krye dhe për shkak të detyrës, nga radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit Zjarrfikës, është përshkruar në 2 volume të librit “Të rënët”, më bashkautorë ish-drejtuesit e Policisë, Bajram Ibraj dhe Hilë Lushaku. Në ceremoninë e organizuar për promovimin e këtij libri, e cila u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar, morën pjesë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe familjarë të ish-punonjësve të Policisë që kanë rënë në krye dhe për shkak të detyrës. Autorët Hilë Lushaku dhe Bajram Ibraj, gjatë fjalëve të tyre, kanë falënderuar të pranishmit, për pjesëmarrjen dhe për vlerësimet për librin e tyre. Ibraj dhe Lushaku janë shprehur se nëpër faqet e librit “Të rënët”, është shkruar historia e vërtetë, si dhe janë përshkruar aktet sublime dhe sakrificat e mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit Zjarrfikës. Pa kontributin e tyre sublim, nuk do të kishim një shtet nën sundimin e ligjit dhe as rend dhe siguri për qytetarët dhe komunitetin. Libri është një pasaportë përjetësie dhe krenarie, si dhe një formë ngushëllimi për familjarët e të rënëve, të cilët sot ndihen edhe më shumë krenarë për veprën e të afërmve të tyre. Promovimin e librit e ka përshëndetur ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili gjatë fjalës së tij e vlerësoi iniciativën për botimin e këtij libri, që është i pari në llojin e tij. Lleshaj e ka konsideruar librin si progres për Policinë e Shtetit dhe si një materializim të detyrës së shenjtë që kanë punonjësit e kësaj organizate. Në emër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zv/drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga u përcolli autorëve të librit urimet e rastit, si dhe mbështetjen për iniciativa të tilla që e ngrenë lart imazhin e organizatës së Policisë së Shtetit, e cila nuk e harron veprën e përjetshme të punonjësve që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Bizhga është shprehur se Policia e Shtetit ka treguar gjithmonë vëmendje të veçantë për familjarët e Dëshmorëve të Policisë, të cilët me veprën e tyre janë bërë pjesë e historisë së kombit shqiptar. atsh